Kryeministri Rama ka lajmëruar se së shpejti nisin fluturimet në aeroportin e ri në Kukës.

Për të parë se si është gjendja në këtë aeroport dhe a kanë përfunduar punimet, atje ndodhej gazetarja jonë Kristi Gongo.

Aeroporti Ndërkombëtar i Kukësit do të jetë aeroporti i dytë civil në Shqipëri, ndodhet rreth 3.5 km në dalje të qytetit të Kukësit dhe pritet që brenda kësaj jave të jetë funksional. Avioni i parë që do të ulet në pistën ajrore të Kukësit pritet të jetë ai me pasagjerë nga Londra.

Drejtori i Përgjithshëm i Aeroportit të Kukësit, Altin Progonati, tregoi për Top Channel të gjithë investimet që janë kryer në këtë aeroporti dhe foli në lidhje me infrastrukturën.

“Ky është një investim i dy kompanive shqiptare, një investim që në total kap shifrën e mbi 22 milionë eurove. Struktura është pothuajse e përfunduar. Këtu ndodhemi në zonën e check-in, pritet të përfundojë shumë shpejt”, tha ai.

Gongo: Kush do të punojë në këtë aeroport?

“Ky aeroport i përket Shqipërisë, por në radhë të parë qytetit të Kukësit dhe stafi kryesor është i gjithë i punësuar nga Kukësi, me përjashtim të disa posteve specifike që janë specialistë të aviacionit. Stafi do jetë rreth 110 persona, do jenë djemtë dhe vajzat e Kukësit që do të punojnë në këtë aeroport. Kemi pasur shumë kërkesa”, shprehet Progonati.

“Arredimi është duke u plotësuar, siç mund ta shikoni këto janë foto nga lufta e Kosovës, pasi ky aeroport që në fillim u bë dhuratë për qytetin e Kukësit, pasi ishte i pari që priti valën e refugjatëve nga Kosova. Këto foto tregojnë historinë e atij vend”, shton më tej Drejtori i Përgjithshëm i aeroportit.

Gongo: Sa e gjatë është kjo pistë dhe sa është ndërhyrë për të bërë të mundur për uljen e avionit.

“Pista në momentin që ne e morëm ka qenë 1900 metra dhe për ta sjellë në standarde ndërkombëtare i bëmë një shtesë prej 300 metrash. Ky aeroport lejon uljen e avionëve deri në 73.5 tonë”.

Gongo: Më datë 18 do të ulet avioni i parë. Me cilat linja ajrore keni nisur të bashkëpunoni?

“Për momentin kemi filluar me “Air Albania” dhe “Albawings”. Destinacionet kryesore priten të jenë Londra, veriu i Italisë, Zvicra, Gjermania”.

Gongo: A do të konkurrojë me çmime ky aeroport?

“Patjetër. Çmimet janë projektuar të jenë nga më të lirat në Rajon. Do jemi konkurrentë të fortë për Tiranën, Prishtinën, Shkupin, Ohrin dhe të gjithë aeroportet e zonës”.

Aeroporti i ri në Kukës i cili do të hapet së shpejti do të quhet “Aeroporti Ndërkombëtar Zayed-Flatrat e Veriut” dhe këtë e ka bërë me dije vetë kryeministri Edi Rama pak ditë më parë.

VERITAS.COM.AL