Mësohet se dy të rinjtë Endrit Qyqja dhe Endrit Zela janë vënë në pranga kur kanë shkuar, sot në mëngjes, për të takuar Shullazin në burg. Urdhri është dhënë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në Tiranë.

Sipas prokurorisë dy të arrestuarit janë pjesëtarë të organizatës kriminale që drejtohet nga Emiljano Shullazi.

Njëri nga personat që u arrestua në dalje të paraburgimit tek burgu “Jordan Misja” është nipi i Emiljano Shullazit. Endrit Zela , sipas policisë, ka lidhje gjaku me Shullazin dhe është përfshirë në aktivitete kriminale . Prokuroria njoftoi se dy të arrestuarit e sotshëm u prangosën në vendin ku ishin takuar me të akuzuarin për gjobëvënie. Endrit Qyqja dhe Endrit Zela dyshohet se janë pjesë e grupit, të dyshuar për disa gjobëvënie dhe atentate në Tiranë dhe Durrës. Sipas prokurorisë dy të arrestuarit e sotëm, në bashkëpunim me shtetasit Emiljan Shullazi e Gilmano Dani, si edhe për llogari të këtyre të fundit, i kanë marrë shuma të konsiderueshme parash një biznesmeni, nëpërmjet kërcënimit dhe dhunës fizike.