Nga L. Skiro/

Na e shpifën, më në fund! Njëri nxjerr foto sot, tjetri pas pak. Tjetri nxjerr video nesër, tjetri pas pak… Njëri tregon ‘zorrët’ sot, tjetri tregon ça ka në bark e nën bark nesër… Na e shpifën.

Këta nuk janë ca halabakë rruge, këta janë udhëheqësit tanë, qeveritarët, ‘të ndriturit’, heronjtë e piedestaleve nesër, maskarenjtë e sotëm…

Këta e bëjnë me krenari këtë pisllëk, herë përdorin një vajzë, herë një babale, herë një legen, herë një fundërrinë, herë një mashtrues, herë një mitoman… Vetë janë mitomanë të detyruar për të mbrojtur veten. Këta mendojnë se kështu ‘bëjnë luftë’ kundër njëri tjetrit.

E kujt ia thoni këtë idiotësi, o derdimenë? Po pse ore, njerëzit hanë bar?; edhe sikur bar të hanin- kaq idiotësi e mashtrim të mendjes suaj të tharë e kuptojnë. E kuptojnë se jeni bashkë në pisllëk; edhe kur nuk jeni bashkë, ruani njeri tjetrin…

Se desha të bëj një pyetje: Të gjithë ju keni qenë në pushtet dhe e dini ku janë paratë e grabitura nga ky popull: Pse nuk nxirrni paratë, por nxirrni fotot e pisllëqeve? A pisllëqet i duhen këtij populli që ju e dashuroni? apo i duhet pasuria, pronat dhe vlerat e grabitura….

Po keni nisur të ngatërroni edhe miqtë me armiqtë,  e ky është fundi…

Një djalë, që me sa duket ndodhet jashtë vendit, sot sapo i ka dalë emri në këto ‘pisllëqet’ me foto e video, ka dërguar një letër për ish kryeministrin Berisha; dhe një foto gjithashtu. Ai i thotë miqësisht njeriut për të cilin votoi gjithë kohëve, ‘po pse më ngatërron mua me këta ushtarët e Edi Ramës… Unë nuk e kam takuar kurrë Taulant Ballën e PS. (lexo në fund mesazhin e tij në fb).

U bë puna që të mbyllim televizionet në të gjitha familjet; po ku pranon media pa këtë ‘ushqim’ të pistë.  U bë puna të mos votojmë kurrën e kurrës, po ku tí bindësh atë shumicë idiote që pëlqen të ‘hajë’ këso pisllëqesh me foto e përgjime se sa të kërkojë mirëqenie për familjen. U bë puna të mos i shikosh me sy, por nuk lënë radhë pa të prishur ‘klimën’ globale…

Kam frikë se këto pisllëqe e kanë çuar temperaturën e e Globit në shifra alarmante. Po a ka botë që i pastron këto rreziqe të shkallës më të ulët?

Po edhe bota ku ta dish se nuk i duhen këto mbetje?…

Veritas.com.al/