Siç ishte paralajmëruar, Ministria e Brendshme në bashkëpunim me Ministrinë  e Infrastrukturës dhe Energjetikes kanë dalë me një udhëzim të përbashkët për disiplinimin e trafikut gjatë sezonit turistik dhe kufizimin e qarkullimit të mjeteve të rënda.

Udhëzimi  që mban firmën e Ministrave Xhafaj dhe Gjiknuri parashikon oraret e kufizimeve, ditët dhe llojet e mjeteve dhe do të nisë të zbatohet nga data 15 Qershor deri në 15 Shtator.

Ndalohen të qarkullojnë në oraret e përcaktuara në udhëzim, kursantët e auto-shkollave mësimore, transporti i mallrave me peshë të përgjithshme të autorizuar mbi 7.5 ton, me ngarkesë të pandashme me gjatësi maksimale më të madhe se 12 m, dhe makinat bujqësore dhe teknologjike.

Sipas udhëzimit, kufizimi ne fjale parashikon fundjavat dhe kërkon respektim rigoroz, pasi për shkelësit do të ketë sanksione.

Ditën e premte periudha e kufizuar do të jetë nga ora 15.00 deri në orën 22.00. Për ditët e fundjavës: të shtunën nga ora 08.00 deri në 12.00 dhe nga ora 16.00 deri në orën 22.00. Ndërsa e diela nga ora 07.00 deri në orën 22.00.

Ndërsa për ditët e festave zyrtare që përkojnë me sezonin turistik kufizimi i qarkullimit do të jetë nga ora 14.00 e ditës para festës, deri në orën 22.00 dhe nga ora 08.00 e ditës së festës deri në orën 24.00 të po asaj dite.