“Shqipëria gjendet përpara vendimmarrjes të rëndësishme të Bashkimit Evropian dhe për këtë nuk duhet humbur kohë“.

Kështu është shprehur Ambasadorja e Gjermanisë në vendin tonë Susanne Schütz. Në një deklaratë, ambasadorja bën apel për vijimin e reformave. Ajo përshëndet faktin që edhe pse ngadalë, reforma në drejtësi po ecën.

“Shqipëria gjendet përpara vendimmarrjes të rëndësishme të Bashkimit Evropian lidhur me nisjen e bisedimeve të anëtarësimit. Ndaj tani nuk duhet humbur kohë, në mënyrë që reformat e nisura të vijojnë më tej dhe të arrihen rezultate të tjera konkrete në pesë prioritetet kyç.

Përshëndes faktin që – edhe pse ngadalë – reforma në drejtësi po ecën përpara në mënyrë të pandërprerë. Ajo është një sukses; ndaj procesit të reformave nuk ka alternativë, ai është i pakthyeshëm dhe unik në rajon. E rëndësishme është që edhe Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë, si instrumente të rëndësishëm korrektivë të shtetit ligjor, të mund të jenë së shpejti sërish funksionale.

Në këtë kontekst përpara duhet të çohet edhe ngritja e strukturës së SPAK-ut. Ne presim hapa të tjerë përpara edhe në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Të gjitha këto përpjekje janë të rëndësishme për të bindur shqiptaret dhe shqiptarët, por edhe investitorët e huaj, që drejtësia shqiptare garanton siguri ligjore”, thuhet në deklaratë.

Duke komentuar vendimin e opozitës për dorëzimin e mandateve, ambasadorja u shpreh se respekton vendimin e secilit deputet, ndërsa thekson se debati duhet të zhvillohet në parlament.

“Ne respektojmë vendimin e secilit deputet dhe të pasuesve të tyre në lista për dorëzimin, pranimin apo refuzimin e mandateve. Njëkohshëm theksoj, se në demokraci parlamenti është vendi kryesor për zhvillimin e debatit politik mes partive politike.

Qeveria Federale do të vazhdojë të bashkëpunojë edhe në të ardhmen me qeverinë aktuale të legjitimuar në mënyrë demokratike si dhe mbajtësit e mandateve në Kuvend”.

Më tej Schutz ndihet e zhgënjyer për bashkëpunimin mes opozitës dhe qeverisë për reformën zgjedhore.

“Shprehim keqardhjen e madhe, që megjithë bashkëpunimin fillimisht të mirë mes shumicës dhe opozitës, reforma zgjedhore deri më tani nuk është miratuar.

Zbatimi i rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it mbetet një komponent i rëndësishëm në ndërtimin e një sistemi zgjedhor solid në Shqipëri, i cili do mund të gëzojë besimin e qytetarëve.”

Veritas.com.al/