Një operacion i koduar “Rodoni” i Prokurorisë dhe Policisë së Durrësit, ka vënë në pranga 18 persona, kryesisht ish-drejtues dhe ish-zyrtarë të Hipotekës së Durrësit. Gjykata ka vendosur ndaj tyre masën e sigurisë “arrest në burg” në mungesë.

Në mesin e të arrestuarve janë edhe 3 ish-drejtorë të Hipotekës në Durrës. Gjashtë persona të tjerë janë me masë detyrim paraqitje sipas vendimit të gjykatës, kurse tre të tjerë janë shpallur në kërkim.

Në një deklaratë për mediat nga Drejtoria e Policisë së Durrësit, u bë me dije se të gjithë personat janë përfshirë në një skemë kriminale të tjetërsimit të tokave.

Ata kanë tjetërsuar 68 mijë metër katrorë tokë publike. Hetimi për këtë grup kriminal është regjistruar për veprat penale korrupsion, shpërdorim detyre, falsifikim të dokumenteve dhe grup i strukturuar kriminal.

Për të shkatërruar këtë grup kriminal të “mafias së tokave”, hetuesit kanë kryer përgjime telefonike, filmime, përgjime ambientale dhe vëzhgime.

Nga këto prova, ka rezultuar se të gjithë këta persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, kanë tjetërsuar sipërfaqe toke shtetërore pa frut në tokë are dhe ua kanë shpërndarë personave të ndryshëm kundrejt përfitimit.

Ky aktivitet kriminal ka ndodhur në periudha të ndryshme kohore nga viti 2013 deri në vitin 2018.

VERITAS.COM.AL/