Nga: Deutsche Welle/

Gjermania kthehet në donatorin më të madh të Shqipërisë. Fokusi i fondit të ri, 164,4 milionë euro do të jetë ekonomia, përmirësimi i jetës së njerëzve, ndihmesa për integrimin në BE e projekte rajonale, shkruan sot Deutsche Welle.

Një fond prej 164,4 milionë eurosh, që Qeveria Federale do t’i lëvrojë Shqipërisë për periudhën 2019 -2021, është publikuar në përfundim të bisedimeve qeveritare mes dy vendeve për politikat në zhvillim të enjten (22.11). Bisedimet u zhvilluan në Tiranë, të kryesuara për palën shqiptare nga Ministri i Finanacave, Arben Ahmetaj, dhe palën gjermane nga Drejtori i Drejtorisë për Evropën Juglindore në Ministrinë Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, Dirk Schattenschneider.

Në një njoftim për shtyp nga Ambasada Gjermane në Tiranë, bëhet e ditur që krahas fondit të përmendur më lart, Banka Gjermane për Rindërtim, KfW, do të lëvrojë, për Ministrinë e Financave në Shqipëri, një kredi prej 100 milionë eurosh. Prej korrikut 2016 Gjermania ka vënë në dispozicion të projekteve të përbashkëta me Shqipërinë 102,5 milionë euro, duke u shndërruar në donatorin e saj më të madh bilateral.

“Shifrat rekord janë provë e rëndësisë së madhe që Qeveria Federale i kushton mbështetjes së Shqipërisë në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian. Në 30 vitet e fundit ne kemi qëndruar vazhdimisht në krah të Shqipërisë dhe do të vazhdojmë të mbetemi një partner i besueshëm i saj”, tha pas përfundimit të bisedimeve qeveritare, Ambasadorja Gjermane në Tiranë, Susanne Schütz.

Fondet gjermane në fokus – përmirësimi i jetës së njerëzve, integrimi në BE

Gjermania do të lëvrojë fondin prej 164.4 milionë eurosh për projekte të përbashkëta gjermano-shqiptare në sektorët e energjisë, ujësjellës-kanalizimeve, menaxhimit të mbetjeve dhe zhvillimit ekonomik. Por edhe për zgjerimin e bashkëpunimit me vendet fqinje në kuadër projektesh rajonale, që lidhen me procesin e integrimit evropian, luftën kundër krimeve të rënda, pastrimin e detit dhe mbrojtjen nga përmbytjet.

Drejtori i Drejtorisë për Evropën Juglindore në Ministrinë Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, Dirk Schattenschneider, është shprehur, se „për ne është e rëndësishme që, nga njëra anë të përmirësojë në mënyrë konkrete kushtet e jetesës së njerëzve me projekte në furnizimin me energji dhe ujë, dhe nga ana tjetër të zhvillojë institucionet shqiptare duke i bërë të afta për në BE. Gjithashtu Gjermania kontribon që Shqipëria të përballet me sfidat së bashku me fqinjët e saj, që brezat e ardhshëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor të trashëgojnë perspektivën për një jetesë të mirë dhe në paqe.”

Schütz – Në pritje të vendimit të BE për negociatat

Mbështetja e Gjermanisë ndaj Shqipërisë në rrugën e zhvillimit ekonomik është më tepër se fondet financiare. Ambasadorja gjermane Susanne Schütz vuri në dukje se “Gjermania vë në dispozicion jo vetëm fonde financiare të shumta dhe ekspertizë profesionale, por ne jemi gjithashtu edhe një konsulent kritik. Ne, inkurajojmë Shqipërinë të vijojë në mënyrë konsekuente rrugën e nisur të reformave, veçanërisht atë në sektorin e drejtësisë dhe luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Në pritje të vendimmarrjes së BE-së pranverën e vitit të ardhshëm lidhur me çeljen e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë, duhet thënë se nuk ka kohë për të humbur”.

Gjermania – donatori më i madh bilateral i Shqipërisë

Ky vit është viti i 30-vjetorit të marrëdhënieve ekonomike për zhvillim Gjermani-Shqipëri. Gjermania ishte vendi i parë, që lidhi marrëdhënie të bashkëpunimit për zhvillim me Shqipërinë në vitin 1988. Që atëhere dhe deri më sot Gjermania ka vënë në dispozicion të zhvillimit ekonomik të Shqipërisë rreth 1 miliardë Euro, duke u bërë vendi donator më i madh bilateral i Shqipërisë. Pjesa më e madhe e projekteve zbatohen përmes GIZ-së dhe KfW, por edhe përmes organizatave joqeveritare dhe fondacioneve politike gjermane Konrad Adenauer, Friedrich Ebert dhe Hanns Seidel. Bashkëpunimi për Zhvillim është fokusuar kryesisht në energji, ujë, ujësjellës, mbetje, arsimi professional, mbështetje e sipërmarrjeve të reja, nxitje e zhvillimit rural e përshtatjeje legjislacionit ekonomik me Acquis.

VERITAS.COM.AL/