Frrok Çupi

Edhe pse nuk donte të kthehej, e sollën prapë ata që e përzunë në vitin 1948, e sollën për t’i bërë gjyqin si në kinema ‘Nacional’, ku u dënuan pa prova martirët e kombit.

… Më priti një mbrëmje të ftohtë, mars 1991, në periferi të Munihut dhe folëm gjatë, deri afër mesnatës, në një darkë me verë të kuqe rubin. Një burrë aq elegant, i ditur dhe pafundësisht i mirë- si Martin Camaj, nuk besoj se keni për të parë më. Martini nuk do të më fliste për vdekjen nëse nuk do t’i kisha thënë: “Kur do të na vish në Shqipëri, Martin?; tani djajtë kanë rënë, jemi të lirë…’. Sapo ishte rrëzuar monumenti i diktatorit.

-Nuk të vij- më tha. Kam vetëm një vit jetë! Mjekët ma kanë prerë, në mars si sot, unë vdes!

Fytyra nuk i lëvizte asnjë muskul, ai ishte mësuar të jetonte me ditën e fundit.

Në studion e tij, ku kujdesej mrekullisht Erika, Martini kishte shpalosur në mur skemën e gjithë vitit deri në mars ’92, orë për orë, çfarë punësh do të kryente deri në mbyllje të jetës. Nuk kishte as edhe një orë bosh; asnjë orë. Nuk e di ku e gjeti atë kohë që folëm e folëm e pimë verë në një ambient ku më dukej se gurët e rrugës do të thyheshin si kristali…

-Edhe sikur të mos ishte kjo punë  (vdekja- unë), nuk mund të vij atje, Frrok- mu drejtua Martini, teksa ndaheshim pas mesnate në oborrin me çakëll të shtëpisë së tij. –Nuk e njoh më vendin tim- tha- Ma ka fshirë realitetin letërsia e realizmit socialist- tha Martini dhe u ndamë.

Në njëfarë mënyre e solli këtu po ajo frymë që e përzuri. Klubi ‘Tare’ ka gërmuar nëpër gjithë hauret e informatave të tij (si në një film të realizmit socialist ku Tare gjeti vetëm qenin e ngordhur), dhe po i bëjnë gjyqin. Këta kanë një të drejtë që po e bëjnë tani krimin e pakonsumuar atëherë: Atëherë Martin Camaj u largua nga vendi komunist, u arratis, mori në sy rreziqe e vuajtje, me një moto të hidhët pelin: ‘më mirë të më vrasin në kufi se të jetoj me komunistët!’. Atëherë s’e kapën e nuk ia bënë dot gjyqin në ‘Nacional’.

Po tani ç’të bëjmë? Kjo është pyetja e këtyre, jo jona. Ka tre ditë që publiku dhe media po shpërthen në shkronja e viza për Martin Camaj dhe Ernest Koliqi- dy ‘kalorës’ viganë të kulturës e vlerës kombëtare, dy shkrimtarë e gjuhëtarë, albanologë e estetë, dy shkollarë të mëdhenj të shqipes. Tare ‘ka gërmuar’ dhe i nxjerr ‘spiunë’, agjentë’, ‘tradhtarë’.

Tare është i pakundërshtueshëm. A është i  pa kundërshtueshëm prokurori komunist? Po.

1.

Pakundërshtueshmëria e parë:

Po të hysh në punën e pa punë që ta analziosh pretencën e Tares, del se po qëron oriz të mbledhur në rërë. Lexojeni pretencën, ju lutem, nëse nuk e keni lexuar ende, nuk ka asgjë që mund të pohohet a mohohet, asgjë të vërtetë, asgjë të provuar. Atëherë mbroje Martinin! Jo, kjo është e pamundur. Prokurorët e regjimit të diktaturës ishin kaq të pakundërshtueshëm. Shiko, një ngjarje që më vjen në mendje: E sollën në sallën e gjyqit bariun nga Selita e Mirditës. Ai s’e dinte pse. ‘Ke sharë Partinë, kohë e keqe!’, ke thënë dhe nuk i dhanë asnjë provë. Bariu e dinte më mirë hesht se të kërkosh të vërtetën me ta… ‘O, po, zotni gjyqtar, po kam folur keq… Por më paska dëgjuar lopa’, tha.

Lopa e pikasi edhe Martin Camajn teksa spiunonte.

2.

Pakundërshtueshmëria e dytë:

Martin Camaj iku prej atdheut të tij për të shpëtuar prej komunizmit. Këtë thotë Tare. Po këtë e ka thënë vetë Martini me jetën e me fjalën e me qenien e tij; prandaj nuk mund të kundërshtohet. E vërtetë është edhe se Martini teksa ndodhej në derë të burgut, shënoi në një letër pseudonimin ‘Druri i kuq’. Të nesërmen a të pasnesërmen ai do të ikte ose do të vritej- ç’vlerë kishte pseudonimi!. Apo po të ishte Tare do të thoshte ‘këtu do të rri e t’i shërbej Partisë’. Babai i Tares, një oficer i lartë i regjimit që brodhi në veriun katolik kushedi pse, ditën që vdiq diktatori Hoxha, gati vdiq nga dhimbja. Ai kishte lidhje me skutat më të errëta të regjimit dhe kërkoi që të mbante mbi supe arkivolin e Enverit. Ia plotësuan kërkesën. Po, aty e gjeni, mes Manushit dhe Hekuranit, me arkivolin në krahë.

Atëherë çfarë të kundërshtosh te Tare!? Po, more Tare, Martini ka ikur: o jetë o vdekje, për të luftuar gjithë jetën kundër regjimit komunist të Enver Hoxhës. Për ta rrëzuar atë ‘arkivol’ nga supet e dishepujve.

3.

Tare, prapë i pa kundërshtueshëm:

Nuk ka asgjë të vërtetuar as të vërtetueshme në gjithë akuzën poshtëruese të Tares.

A mund t’ju citoj pak formulime nga ‘shkenca’ e tij historike. Ja për shembull: ‘emri i tij përmendet në një dokument’;  ‘me të drejtë lind pyetja…’;  ‘sjell pyetjen si mundi mësuesi refugjat shqiptar’; ‘duket se e ka futur atë në shoqërinë e lartë beogradase’; ‘do të ishte me shumë interes që këto dokumente të krahasoheshin’;  ‘Me të drejtë lind pyetja- e përsëritur pas pak rreshtash’; ‘Biografët e tij deri më sot nuk kanë dhënë asnjë sqarim’; ‘Ndërkohë Martin Camaj nuk dukej se prekej nga këto zhvillime të reja’; ‘A mos vallë “Brezi i Kuq” dërgohej me mision të ri?’; ‘Megjithatë, mund të themi me siguri!’.

Kjo është shkenca historike e Tares për të poshtëruar Martinin. A kundërshtohet? Jo, kjo është një fantazmë e formuar me fjalë. Çfarë nuk ekziston as kundërshtohet. Jozy kur ishte kryetare, nga tribuna e Kuvendit, pat thënë ‘historian leshi’.

4

Tare ka të drejtë, Martin Camaj është armik i regjimit komunist.

Gjithë përralla e Tares ngrihet me bazë në urrejtjen e regjimit të diktuarës kundër disidentëve të mëdhenj që lanë atdheun dhe u bënë dikushi nëpër botë. Por u bënë edhe për vlerat shqiptare. Ata u betuan që me çdo mjet ta rrëzonin qeverinë e Enver Hoxhës. Gjatë gjithë endjes së pështirës kundër Camaj dhe Koliqi, Tare ka frymën e një organizate partie që po gjykon armikun e egër të klasës. Enver Hoxha pat thënë: ‘Eqremin (Çabej), edhe e fal, por Martin Camaj kurrë’. Hoxha ishte selektiv në krim dhe idiot diktator, ai nuk ua fali sidomos katolikëve dhe jezuitëve. Pse? Para se t’i pushkatonte pas gjyqit në kinema ‘Nacional’ dhe ‘Grand’, regjimi u vodhi etërve dhe priftërinjve katolik studimet mbi gjuhën, mbi letërsinë, mbi etnografinë dhe ua dhuroi ‘intelektualëve të Partisë’… Tare shkruan: ‘Martin Camaj gjatë periudhës në arrati nuk shkroi letërsi kundër komunizmit’. Ky është krimi: O letërsi për Partinë, o kundër!, tjetër nuk ka.  A nuk është Tare njësoj si Hoxha në këtë vijë? Po sa gjatë rrojti ky Enveri!

5.

Këtu ka vërtet një organizatë Tare:

Në të gjithë institucionet e shtetit sot kemi ‘Tare’. Jo thjesht si personazhi i filmit me drithin pas Luftës së Dytë, ku Tare gërmon e gjen vetëm ‘qenin e ngordhur’, por realisht. Tare- në Butrint, Tare- i përfolur si përfitues i madh me pasurinë e qytetit antik, Tare- në Agjencinë e Bregdetit, Tare- me naftën e  anijeve që desh shkatërroi Durrësin për një anije që e përzunë; një Tare në ministrinë e jashtme zëvendësministër pa pikë vlere, Tare- në Bylis, Tare- në shkencën historike; një Tare tjetër sportist por propagandist i partisë në pushtet… Gjithë qeveria mund të quhet ‘Tare’. Ku i gjeti këta Edi Rama e ç’magji i bënë. Se që nuk duhen për asgjë tjetër- kjo nuk ka dyshim. Apo qeveria kruhet me idenë se ‘këta janë bij të etërve’ komunistë, siç po thuhet. Çuditëm, si do të kërkojë mbështetje politike Edi Rama në Shkodër ku një Tare në qeveri desh përdhosi figurën e Martin Camaj. ‘Budalli ta vret mizën në lule të ballit!’, thonë në Mirditë.

6.

Dhe një ‘rebel tjetër’ gjerman kundër komunizmit:

… Franz Josef Shtraus, kryeministër i Bavarisë, ‘një nga etërit themelues më të mëdhenj të Republikës Federale’,  e ka quajtur Helmut Kohl, vizitoi Shqipërinë tre herë nga viti 1984 deri ’87, me idenë e një ndihme ekonomike për Shqipërinë. Herën e tretë- ma ka treguar vetë Martin Camaj, natën e marsit 1991. Ata ishin dy miq të ngushtë. ‘Kur zbriti Shtraus në aeroport, shkoi te kabina telefonike dhe më thirri: ‘Martin, mos më thuaj më, nuk shkoj më kurrë në atë vend! Do të vij të flasim’, u lëshua Shtraus.

Atëherë e dinim se një nga ata të Politbyrosë, Foto Çami, i kishte thënë gjermanit Shtraus: ‘E shikon ballin tim?… kam një plumb gjerman’, domethënë ‘nuk e pranojmë ndihmën tuaj ekonomike’. Kështu ndodhi edhe me Shtraus, si me Martinin, u dëbua.

( FOTO: Martin Camaj dhe Frrok Çupi, Mynih, 1991)

VERITAS.COM.AL