-Sipas Koha Ditore-

Partia e kryeministrit në detyrë, Ramush Haradinaj, e ka pranuar humbjen në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Kreu i AAK-së ka thënë se do të jenë në opozitë dhe se nuk do të hyjnë në koalicion me Vetëvendosjen, raporton KTV.

Haradinaj e ka quajtur sërish mashtrues kreun e Vetëvendosjes, Albin Kurti.

“Ju e dini, nuk po dojmë me prishë vendimin e sovranit, sovrani ka vendosë kujt me i jep besim, ndërsa e dini mendimin tim për liderin e Vetëvendosjes. Për fat të keq, mendoj se nuk është ajo që është premtu. Ekziston mundësia e mashtrimit dhe e zhgënjimit të qytetarëve pikërisht me fituesin, por kjo i mbetet të ardhmes. Shpresoj që unë jam gabim”, ka thënë Haradinaj.

Nga ana tjetër, Vetëvendosje e konsideron partner të koalicionit LDK-në.

Partia e udhëhequr nga Isa Mustafa e pret numërimin e votës së fundit, në mënyrë që, pastaj, të flasë për koalicion të mundshëm me Vetëvendosjen.

Ndërkaq, duke folur për rezultatet e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, Haradinaj beson se me votat me kusht dhe të diasporës, koalicioni AAK-PSD do të marrë rreth 100 mijë vota.

Haradinaj ka shtuar se AAK-ja nuk do të kërkojë rinumërim të votave, siç kanë kërkuar PDK-ja, LDK-ja dhe Nisma Socialdemokrate.

Haradinaj e ka bërë fajtore PDK-në për përkrahje të idesë për ndarje të Kosovës, por ka thënë se për çështjet për të cilat kanë qëndrime të njëjta, do të bashkëpunojë edhe me Kadri Veselin në opozitë.

Veritas.com.al/