Frrok Çupi/

Që gjatë fushatës elektorale parlamentare në Itali, propaganda rrotull saj- deri në hallkat e BE, deklamoi se “Italia ndodhet në zgrip të fashizmit”. Propaganda ‘ajrore’ kishte një burim dhe një qëllim: Burimi ndodhet në dituritë jo edhe aq të plota mbi Fashizmin në Itali; ndërsa qëllimi (i keq) ishte që të trembeshin popujt nga e djathta konservatore italiane si ‘fashiste’. BE, sidomos, e ka kapur fort bririn ‘liberal’ dhe kërkon të ruajë status-quo-në; gjë që, sipas BE, mund të arrihet vetëm duke ‘helmuar’ të djathtën konservatore…

Tani që zgjedhjet mbaruan dhe koalicioni i qendrës së djathtë fitoi të drejtën për të krijuar qeverinë- sipas liderit të Lega, Salvini- propaganda thuajse pushoi siç pushon në një ‘stuhi’ që nuk kishe ‘çfarë i bën”.

Dita pas zgjedhjeve dhe një ditë pas saj, dëshmuan se italianët nuk po shkonin drejt fashizmit, por po bënin përpjekjen për të  prodhuar kryeministrin e parë të zgjedhur që nga viti 2008 kur fitoi Silvio Berluskoni. Që nga viti 2011, kur Berluskoni dha dorëheqjen, Italia ka pasur katër kryeministra të pa zgjedhur… Kjo ishte vlera e këtyre zgjedhjeve, që Italia ‘demokratike’ të ketë më në fund kryeministër të votuar;  jo që të shkojë në rrugën e Fashizmit.

Zgjedhjet erdhën në pikun e krizës së emigrantëve; sidomos pasi u zbulua se një vajzë 18 vjeçare italiane e kishin copëtuar dhe futur në dy valixhe dhe e kishin lënë në anë të rrugës përmes kodrave të qytetit Macerata në Le Marche. Tre emigrantë Nigerian ndodhen në qeli  të akuzuar për vrasjen. Propaganda për ‘fashizëm’ lulëzoi në momentin kur, për hakmarrje, një djalë 28 vjeçar, fashist lunatik, mori makinën, i erdhi rrotull qytetit Macerata, duke hapur zjarr mbi cilindo njeri me ngjyrë që i dilte përpara. Po a është kjo arsye e mjaftueshme për BE, etj., që t’i konsiderojë zgjedhjet e Italisë ‘rrugë drejt Fashizmit”?.

Ajo çfarë ndodhi në Macerata e transformoi krizën e emigrantëve të Italisë, duke e vënë në çështjen numër një, pavarësisht përpjekjeve si nga brenda edhe nga jashtë vendit, për ta quajtur fushatën e zgjedhjeve si një rrugë fashizmi.

Media e majtë italiane, dhe akoma më gjerë- media globale që mbështet të majtën- bënë të pamundurën për të shpëlarë trurin e italianëve me qëllim që këta të mendojnë se nëse voton për të djathtën- ke votuar për fashizmin. Por as e djathta italiane dhe as vetë italianët nuk janë fashistë. Çfarë ata janë dhe çfarë ata bëjnë, është se janë të mbingopur me vërshimin e emigrantëve ilegal që hyjnë në Itali; çfarë përfaqëson atë që ka thënë  edhe vetë Silvio Berluskoni, se kjo është “një bombë sociale gati për të shpërthyer”.

Italianët nuk janë fashistë, por janë të mërzitur me dështimin e ‘qeverive të suksesshme” dhe dështimin e BE për të ndaluar NGO-të dhe anijet e vendeve të BE që i marrin emigrantët nga brigjet e Libisë dhe i përplasin 280 km. larg atyre brigjeve- në Itali, ku kërkojnë azil ose zhduken, por që kurrë nuk depërtohen për në vendet e tyre. Nën hundën e BE dhe të OKB zhvillohet tregtia më kriminale e njerëzve, ku trafikantët pasurohen me anë të emigrantëve dhe Italianët frikësohen në jetën e tyre nga prezenca e alienëve.

Çfarë kishin në mendje Italianët teksa u drejtuan për në kutitë e votimit- nuk ishte Fashizmi. Çfarë kishin në mendje Italianët drejt votimeve ishte se imagjinonin Britaninë; sikur Britania të ishte me 35 përqind papunësinë e rinisë dhe me 15 përqind të papunë në radhët e popullsisë, sikur të ishte e zhytur për dekada në një recesion ekonomik të përhershëm, mbytur nga një borxh i lartë që zë vendin e katërt në botë sipas përqindjes me GDP e vendit (132 për qind është borxhi publik); që kushton 70 miliardë dollarë në vit…, në një gjendje prej të burgosuri brenda një monedhe të vetme ku mund të bëje asgjë për të zgjidhur problemin- me përjashtim të më shumë vuajtje dhe më pak vende pune.

Edhe sikur në Britani të ishim, (ku nuk pi ujë akuza për ‘Fashizëm’), vallë çfarë mund të bëhej tjetër? Imagjinoni anijet e monitoruara nga NGO-të dhe BE që transportojnë pa pushim emigrantë të vënë në skaudrilje gjigande, që i i drejtohen Italisë! Deri tani më shumë se gjysmë milioni, kryesisht meshkuj, kanë hyrë në Itali… Po sikur zgjedhjet në Britani të zhvilloheshin në këto kushte, vallë a nuk do të ishte çështje kryesore emigracioni i paligjshëm?! Sigurisht po!

Po Anglia a mund të akuzohet për ‘Fashizëm”?!

Veritas.com.al/