Policia ka arrestuar shtetasin Redjan Rraja, i cili dyshohet se ka lidhje me atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoji, katër ditë më parë, ku mbetën të plagosur prokurori, shoferi i tij, Andi Maloku, dhe Aleksandër Lahon, i njohur edhe si i “Rrumi” i Sukthit. Si aps Policisë, objektivi që do të ekzekutohej, ishte prokurori Arjan Ndoj.

Arrestimi i Rrajës është bërë pas një aksioni të gjerë nga policia, FNSH dhe RENEA, të nisur që prej ditës së atentatit, dhe që u shtri në disa qytete të ndryshme, si Krujë, Fushë-Krujë, Durrës, Tiranë dhe Elbasan. Deri më tani policia ka shoqëruar disa persona dhe vijojnë të shoqërojnë të tjerë persona, që dyshohet se kanë lidhje ose dijeni për ngjarjen.

Atentati ndodhi pasditen e të premtes, te mbikalimi i Shkozetit, në Durrës, ku u qëllua me breshëri plumbash ndaj makinës ku udhëtonte prokurori Ndoj me shoferin dhe “të fortin” e Shijakut, ku ky i fundit njihet edhe si një person me precedentë penalë.

Reagimi i Policisë:

Më datë 01.11.2019, rreth orës 16:13, në autostradën Durrës-Tiranë, pranë mbikalimit të Shkozetit, në ndjekje e sipër, persona të paidentifikuar duke udhëtuar me një mjet tip “Benz” kanë qëlluar me armë zjarri nga mjeti i tyre për të vrarë shtetasit A. N., 42 vjeç, me detyrë prokuror pranë Prokurorisë së Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, A. M., 24 vjeç dhe A. L., 46 vjeç, të cilët kanë qenë duke udhëtuar nga Durrësi në drejtim të Tiranës me mjetin tip “Benz”, të Prokurorit A. N., ku për pasojë, kanë mbetur të plagosur të tre këta shtetas.

Për zbardhjen e kësaj ngjarjeje u ngrit menjëherë një grup i posaçëm hetimor, i përbërë nga specialistë të Departamentit të Policisë Kriminale, Sektorit të Krimeve të Rënda në DVP Durrës e Tiranë, nën drejtimin e Prokurorëve të Prokurorisë për Krimet e Rënda Tiranë.

Njëkohësisht, forca të shumta policie në disa Drejtori Vendore ngritën pika kontrolli dhe ushtruan kontroll të gjerë të territorit për kapjen e autorëve.

Si rezultat i kontrolleve të shpejta, në territorin e Drejtorisë Vendore Durrës, brenda një kohë të shkurtër në fshatin Shkafane, Durrës është gjetur i braktisur mjeti tip “Benz”, me targë AA342LM, që dyshohet se mund të jetë përdorur nga autorët e ngjarjes. Gjatë këqyrjes së këtij mjeti janë sekuestruar edhe prova të tjera materiale, të cilat dyshohen se janë përdorur nga autorët, konkretisht: dy armë zjarri AK 47, dy maska, një sasi lënde djegëse dhe sende të tjera.

Në vijim të veprimeve për zbardhjen e kësaj ngjarjeje, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, regjistroi procedimin penal nr. 244/2019, për veprat penale “Vrasja e funksionarëve publikë”, “Vrasja kundër dy ose më shumë personave”, e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë” dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Për dokumentimin ligjor të këtij procedimi penal në lidhje me autorët e mundshëm të kryerjes së kësaj ngjarje të rëndë kriminale, me qëllim zbulimin dhe sekuestrimin e provave materiale që lidhen me autorët e kryerjes së kësaj ngjarjeje, iu kërkua Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda lejimi i kontrollit të banesave të 11 shtetasve me banim në Krujë dhe të katër shtetasve me banim në Tiranë dhe në Lushnjë.

Si rezultat i këtyre kontrolleve u gjetën dhe u sekuestruan prova materiale që dyshohet se kanë lidhje me autorët e mundshëm të kësaj ngjarjeje.

Provat e sekuestruara po i nënshtrohen një analize të hollësishme nga grupi hetimor dhe një pjesë e tyre u dërguan në Laboratorin Shkencor për ekzamiminm të mëtejshëm.

Nga tërësia e provave të sekuestruara dhe bazuar në dyshimet e arsyeshme u bë ekzekutimi i urdhër-ndalimit të lëshuar nga Prokurori i Krimeve të Rënda për shtetasin R. Rr, 34 vjeç, lindur e banues në fshatin Nikël, Fushë-Krujë, i dyshuar si një nga autorët e mundshëm të plagosjes me armë të prokurorit dhe dy shtetasve të tjerë.

Grupi i posaçëm hetimor nën drejtimin e Prokurorëve të Krimeve të Rënda po vijojnë intensivisht punën për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje, identifikimin dhe kapjen e autorëve të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.

Policia e Shtetit dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkon mirëkuptimin e medias që të tregohen të kujdesshëm në dhënien e informacioneve për publikun, të cilat cenojnë vijimin e hetimeve.

Policia e Shtetit në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Krimeve të Rënda është tërësisht e angazhuar për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje.

Policia e Shtetit fton qytetarët që të telefonojnë në 112 apo Komisariatin Dixhital për çdo informacion të mundshëm për këtë ngjarje dhe për çdo paligjshmëri tjetër, duke ju garantuar anonimat të plotë dhe reagim të shpejtë e të paanshëm’, njofton Policia.

Veritas.com.al/