Nga: Agim Xhafka/

Titulli duhet shpjeguar. Më poshtë është një foto,një poster i teatrit La Scala di Milano,teatrit të famshëm. I cili kërkoi nga artistet figurativë të krejt botës të bënin paraqitjen e shfaqjes “Madamë Baterflaj” të Puçinit. Dhe nuk e imagjinoni dot,e fitoi piktori shqiptar Niko Dhales. Ky poster u bë dhe lokandinë,një relike që e marrin ata që shohin shfaqjen në ketë teatër famoz si dhe koleksionistët e rruzullit. Se ajo është dhe me vulë e me pullë. Ja,pra që veç Invës kemi dhe Nikon.

Po kush është ky piktor i famshëm dhe i mahnitshëm?

(FOTO: Niko Dhales)/

Një shqiptar i mirë,që jetoi nën diktature e mësimet për ngjyrat i mori tek Pallati i Pionierëve. Që gjashtë vjeç boton krijimet në revistat Fatosi e Pionieri dhe ndjek mësimet në Liceun Artistik e me tej behet anëtar i grupit kryesor të realizimit të Muzeut Historik Kombëtar,merr pjesë në të gjitha ekspozitat që çelen në Shqipëri deri sa më 1990 ikën nga vendi drejt ëndrrave artistike. Nis një fazë e re krijimtarie,me realizime pa kufij e zinxhirë. Bëhet si binjak me shokun e tij Avni Delvina e çelin ekspozita në Rimini,Forli,Romë. Pikturat e tyre shpërndahen neper glob. Por Niko ëndërron Parisin,folenë e artit botëror. Dhe kuturis e ikën,familjarisht. Garanci kishte punën cilësore në Itali.

Në Paris organizohet një konkurs për të fituar leje të pikturojë në sheshin e famshëm Montmartre. Mes 300 krijuesve nga mbarë globi fiton Niko Dhalesi. I pari dhe i vetmi shqiptar që e gëzon ketë pasuri. E nis akuarelet e vizatimet e tij si ëndrra dashurie e pasioni për këte qytet mahnitës. Punët i shiten pa iu tharë boja. Nuk ngel pikturë pa ia blerë të pasionuarit pas Parisit e pas pikturës. Gjithë galeritë franceze e kërkojnë. Fama rritet e ndërkohë kanë kaluar shumë vite nga ikja prej atdheut.

Ndaj ai bashkë me sivëllain në art e jetë, Avni Delvina zbresin në Tiranë me ekspozitën”Pas 25 vjetësh” Eshtë pak të thuash turbulluan jetën artistikë në Tiranë. Nën kujdesin e ambasadës italiane ekspozita u kthye në eventin kulmor të vlerave figurative. Mbi 3.000 artdashës që ditën e parë. Dhjetëra mijëra deri në mbyllje dhe pikturat fluturuan tek porositësit.

Niko Dhales sot është qytetar evropian. Ai ka pasaportë italiane,greke,franceze,jeton në Paris,Rimini,Athinë,por brenda në zemër i rri plot mall e nur Shqipëria e tij. Që e do sa artin e tij,sa familjen ,sa veten. E ka në ëndrra e në projekte te shumta.

Piktori Niko Dhales ishte i ftuar familjarisht në çeljen e sezonit të La Scala. Se ai teatër tani e quan si të vetin. Siç e quajmë ne. Nikoja ynë,themi.

Se vërtet kemi Inva Mula,por tani kemi dhe Niko Dhales.