Ish-Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Skender Hyseni, ka thënë se ndryshimi i kufijve s’mund të bëhet pa tragjedi dhe humbje të jetëve të njerëzve. Ka thënë se ndryshimi i kufijve apo shkëmbimi i territoreve pashmangshëm sjell edhe luftëra të reja.

“Historia e Ballkanit është e njohur dhe nuk ka ndodhur në këtë histori që asnjëherë që të bëhet ndryshim kufijsh pa tragjedi civile, pa humbje jetësh deri te luftërat e tmerrshme. Jemi dëshmitarë se çka ka ndodhur me shpërbërjen e dhunshme të ish-Jugosllavisë”, ka thënë Hyseni, të shtunën, për Gazetën Express.

Këto komente ish-kryediplomati i ka bërë pas riaktualizimit të idesë për shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë.

Express ka raportuar të premten mbrëma se klasa udhëheqëse në Kosovë, nën orkestrimin e Presidentit Hashim Thaçi, pasi dështoi ta zhbëjë Tribunalin Special, e ka filluar një aventure të re, po aq të rrezikshme, po ashtu të dyshimtë: ndarjen e Kosovës me Republikën e Serbisë. Kuptohet, kjo ide fillimisht do të provohet të kontrabandohet në opinion si këmbim i territoreve.

Në Presidencë kanë thënë se është herët të flitet për përmbajtjen e marrëveshjes që do të arrihet me Serbinë. Madje, kanë thënë se në këtë fazë edhe ideja e shkëmbimit të territoreve është vetëm spekulim.

Sidoqoftë, edhe anëtari i Kryesisë së LDK’së thotë se s’ka informacione se një temë e tillë është rikthyer. Por, thotë se duhet punuar për forcim të kufijve e jo për ndryshimin e tyre.

“Nuk jam në dijeni të riaktualizimit të çfarëdo ideje për ndryshime të kufijve apo këmbim territoresh. Sepse Kosova në parim ka mbrojtur qëndrimin që nuk ka ndryshim të kufijve të ish-Njësive Federale Jugosllave dhe ato kanë qenë tetë. Prandaj, konsideroj se çdo tentim ose ide që shkon në tentim të ndryshimit të kufijve paraqet rrezik absolutisht imanent për gjithë rajonin”, ka shtuar ai.

Skënder Hyseni komenton edhe idenë se nga kush mund të vijnë ide të tilla.

“Idetë për njëfarë këmbimi të territoreve janë të vjetra. Janë kryesisht ide që kanë ardhur nga avanturierë politikë, të cilët nuk i kanë peshuar sa duhet pasojat karshi përparësive të ideve të tilla”, ka shtuar ai.

Sipas Hysenit, Kosova dhe të gjitha vendet e Ballkanit duhet të punojnë për integrim në BE dhe të largohen nga mendësia e vjetra për ndryshim kufijsh. Thotë se vendet e Ballkanit duhet të punojnë në përgatitjen e rajonit për t’u bërë pjesë e BE’së duke liberalizuar kufijtë për lëvizje të lirë.

“Kosova duhet të vazhdojë të konsoliudohet si shtet sovran, i pavarur dhe demokratik në kufijtë që i ka dhe ata kufij duhet të konfirmohen me marrëveshje siç ka ndodhur me Malin e Zi që duhet të ratifikohet. Besoj bindshëm dhe njësoj duhet të ndodhë edhe me Republikën e Serbisë para se qoftë njëra apo tjetra t’i bashkohen Bashkimit Europian. E ardhmja e Ballkanit është BE e të gjitha vendeve dhe atëherë kufijtë do të jenë tërësisht të parëndësishëm”, ka shtuar ai.

Gazeta Express ka mësuar se ideja për ndarje, ose ideja për këmbim të territoreve me Serbinë, është duke u përkrahur nga Hashim Thaçi, Aleksander Vucic, Edi Rama dhe Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias.

Në të njëjtën frymë, për të njëjtin skenar, është shprehur ditë më parë edhe Aleksander Vulin, Ministër i Mbrojtjes së Serbisë.  Ai ka thënë se dialogu Kosovë-Serbi, “nuk është duke dhënë rezultate, andaj duhet të kërkohet një marrëveshje për ndarjen e Kosovës”.

Sidoqoftë, ndërkombëtarët besojnë që në këtë lojë është i përfshirë edhe Kryeministri Edi Rama, duke shfrytëzuar kontaktet e tij direkte me Presidentin serb Vucic. Një gjë e tillë, një komunikim i tillë, direkt me Tiranën vazhdimisht ka qenë edhe pjesë e strategjisë serbe. Edhe gjatë kohës kur në Serbi ka qënë në pushtet Sllobodan Milloshevic ka ekzistuar ideja që për Kosovën të bisedohet vetëm me Shqipërinë – kuptohet për ta ndarë Kosovën.

Një burim ndërkombëtar i ka thënë Gazetës Express se këtë temë, për interesa të tyre, po e shtyjnë shumë edhe pala greke. Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias, ka biseduar në Shtëpi të Bardhë me zyrtar të administratës Trump për një ide të tillë.

“Grekët dëshirojnë të përfitojnë në Maqedoni, nga ndonjë ndarje eventuale”, tha ky burim, duke shtuar që edhe Rusia është e interesuar për një zhvillim dramatik në Ballkan, duke marrë parasysh humbjen që e kishin pësuar në fund të shekullit të kaluar, kur për shkak të problemeve brenda shtetit të tyre kishin ngelur pa ndonjë përfitim nga zhvillimet në Ballkan.

Kosova dhe Serbia kanë mbajtur tre raunde bisedimesh prej vitit 1999. Në kohën e luftës ishte organizuar Konferenca e Rambouillet për marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Dokumenti ishte nënshkruar vetëm prej palës kosovare derisa serbët kishin refuzuar duke i hapur kështu rrugë bombardimit 78 ditor të NATO’s mbi caqet ushtarake e policore serbe.

Pasluftës, kishte nisur edhe një proces negociator, ku ishte caktuar Vjena si vend ku takoheshin kosovarët dhe serbët. Marti Ahtisaari ishte caktuar ndërmjetës kryesor duke propozuar pavarësi të mbikëqyrur për Kosovën.

Një proces i tretë dialogues ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka nisur në vitin 2010 me ndërmjetësim të Brukselit dhe mbikëqyrje të SHBA’së. Ende nuk ka një rezultat final prej këtij procesi

Veritas.com.al/