Deputeti i LDK-së, Arban Abrashi, nga selia e partisë ka thënë se do të vazhdojnë sa më shpejt me procedura për rrëzimin e Qeverisë Kurti, ndërsa tregon se LDK-ja nesër do të çojë mesazh Shteteve të Bashkuara të Amerikës se po dalin nga “Qeveria e cilësuar si antiamerikane”.
Derisa ka treguar për takimet e kryetarit Isa Mustafa me liderin e AAK-së, Ramush Haradinajn dhe liderin e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, Abrashi thotë se për mocion nuk kanë biseduar me PDK-në.
“Me PDK-në s’kemi pasur kontakt. S’besoj se do të kemi. Por do ta shohim”, ka thënë deputeti i LDK-së, transmeton Gazeta Express.
Abrashi, i pyetur nëse disa deputetë kanë dalë kundër prishjes së koalicionit me Vetëvendosjen, ka thënë se në kryesi kanë qenë kundër një apo dy vota dhe se nuk e di qëndrimin e secilit në Grupin Parlamentar.
“Është dashur të veprohet kështu, sepse do të shkonte edhe më keq. Kjo nuk ka ardhur me dëshirën tonë, por me shkeljen e marrëveshjes nga kryeministri Kurti”.
Ndërkaq, ai tregon se LDK-ja të premte do ta njoftojë SHBA-në për prishje të koalicionit me LVV-në.
“Të premten do të çojmë sinjale në Amerikë se nuk do të jemi pjesë e një qeverie që po cilësohet si antiamerikane”, ka thënë Abrashi.
VERITAS.COM.AL/