Pse është krijuar gjithë kjo tronditje pas arrestimit të Moisi Habilajt nga Guardia di Finanza të Catanias? Ai është vetëm  39-vjeçar, por me ‘histori’ të gjatë.

Çfarë mbahet mend prej tij?

Është thënë dhe po thuhet se  është kushëri i ish-ministrit të brendshëm Saimir Tahiri.

Ky është personi i kthyer në ‘mollë sherri’ mes Ministrisë së Brendshme dhe kreut të policisë kufitare të Vlorës, Dritan Zagani. Zagani  e akuzoi Habilaj publikisht për bashkëpunim me krimin e organizuar lokal që merrej me trafikun e marijuanës nga Ballkani. Pas kësaj zoti Zagani u përndoq nga forcat e Ministrisë së Brendshme dhe u detyrua të kërkojë azil politik në Zvicër, ku ndodhet edhe aktualisht.

Moisi Habilaj është perdoni që u ‘zbulua’ si transportues droge, por transportonte me makinën ‘Audi A8’ në pronësi të ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.

Atëherë mediat shkruanin se ‘Një Audi A8 e parë shumë herë të kalojë kufirin grek, por jo vetëm. I interesuari direkt, nga ana e tij, ka përgënjeshtruar gjithmonë, duke shpjeguar se makinën ua kishte shitur kushërinjve, por në të zezë, që më 2013. Verifikimet e detektivëve italianë megjithatë tregojnë një histori të ndryshme, në të cilët del edhe emri i politikanit.

Moisi Habilaj në Siçili kishte urën kryesore të punëve të tij, falë një rrjeti grosistësh të aftë për të blerë me pará në dorë qindra kile marijuanë, për t’ua shpërndarë pa dallim të gjithë klaneve mafioze aktivë në sheshet e shitjes. Jo vetëm në Catania, por edhe në Siracusa e Ragusa.

Në Shqipëri, mbi kushëririn e ministrit ka pasur vetëm dyshime të shumta. Asnjëherë i hetuar, asnjëherë i arrestuar, por shumë herë i fotografuar, për shembull me kreun e policisë kufitare të Dhërmiut. Një rezultat i udhëtimeve të shumta nga Shqipëria në Siçili, duke kaluar nga Puglia, për të akorduar shitjet e drogës, përshtatjen e vendit të zbarkimit dhe ato të ruajtjes së drogës.

Hetime që çojnë në emra e mbiemra. Si ai i Antonino Rielas, i dyshuar si pikë referimi në Catania për blerjen e drogës nga Shqipëria. Ushtarakët në nëntor 2013 monitoruan një takim midis këtij të fundit dhe Florian Habilajt, vëllai i Moisiut, pra edhe ai kushëri i ministrit Tahiri.

Takimi kokë më kokë u zhvillua në lagjen San Giorgio dhe, sipas akuzave, Riela i ka dhënë aty 30 mijë euro në dorë për një sasi marijuane. Objektivi ishte të merrnin veten sa më shpejt që të ishte e mundur nga sekuestrimi i 1650 kilogramëve në tetor, në shkëmbinjtë e Baia del Silenzio në Castelluccio, pranë Augustas.

Sipas disa informacioneve nga mediat italiane, del se Habilaj eshte pergjuar nga organet e hetimit, ku ne nje rast iu ka thene bashkepunetoreve ne trafikimin e droges: “30 mije euro na duhen per Tahirin”.

Aktualisht Moisi Habilaj ndodhet i arrestuar nga ‘Guardia di Financa”.

Veritas.com.al/