Frrok Çupi/

Ditën më të keqe Klement Balilit nuk i doli ‘mik’ asnjë mik. Klementi nuk ishte pa miq, madje ishte ‘miku më i mirë’ i qindra miqve që tani shurdhojnë se e kanë njohur ndonjëherë. Këtë që bënë sot, miqtë politikanë, nuk e kanë bërë asnjëherë as gjatë kohës kur Klementi ishte në arrati…

Pse nuk e bënë gjatë asaj kohe?

Sepse kishin shpresë se Klementi do t’ia hedhë!, dhe këta e deshën që një ditë t’i thonë: “Hë mo, të shita unë?… Jo!”. Këta deshën përsëri favore prej Balilit… Këta të shpresës së favoreve janë ose ministra që thuhet se kanë banuar falas në hotelin e tij (nuk po them atë që mund të jetë shpifje ministrash se ata ishin edhe me të dashurat). Këta që kishin shpresë se Balili do t’ia hedhë, janë politikanë që prisnin ta kishin mbështetje për fushatën e zgjedhjeve në Sarandë…

Këta që shpresonin se ‘nuk do të kapet’ janë të gjithë politikanë: ose ‘vjelës interesash’,  ose fajtorë në klubin e Balilit…

Sot kapja e Balilit ka shkundur kupolën e shtetit… Me sa duket kupola e shtetit prej disa ditësh kishte nuhatur se ‘Balili po kapet’. Ndoshta kjo është edhe arsyeja pse në majë të shtetit, dmth., te presidenti, u nxehën hekurat; vetë presidenti nuk u përmbajt më. Nuk u përmbajt as LSI dhe kryetarja e saj, Kryemadhi. Klement Balili është njeriu i afërt i LSI, i punësuar në Bashkinë e Sarandës si drejtor nga LSI. Edhe nipi i Balilit ishte përzgjedhur nga LSI si kryetar në Delvinë…

LSI tani pëson një fiasko.

Ku ta dish se nuk ka lidhje ky arrestim i bujshëm me ‘hekura të nxehta’ në Republikë!? Presidenti nuk e deshi zotin Lleshaj si ministër të Brendshëm. Ky, me siguri, nuk do të shërbente që Balili të mos kapej. Ndërsa nuk pranoi as dekretimin e ministrit të Jashtëm; këtë jo për shkak të Balilit, por me qëllim që ta ‘teprojë’ dhe të kërkojë ndonjë dorëheqje e të marrë në dorë opozitën për të luftuar që Balili të mbushet me shpresë politike.

Ministri i Brendshëm, Lleshaj, sot ka përdorur një kod odash në Veri, kur tha: kush e ka “mizën nën kësulë’. Kjo nënkupton se dikush në ‘Odë’, dmth., në kupolën e shtetit, e di se do t’ia gjejnë lidhjet me Balilin.

Apo ka lidhje me ndonjë ministër të Socialistëve? Ata kanë qenë klientë të klubit ‘Balili’,  por sipas të thënave, Balili veç i ushqente dhe i kujdeste, ndërsa nuk u besonte këtyre. Megjithatë deputet për shumë kohë në Sarandë është vetë zoti Ruçi, kryetar i Kuvendit, i cili mund të dëshmojë për të vërtetat që di.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara bëri pyetjen: “Kush e ka radhën?” pas Balilit.

Më ka çuditur një fakt sot: Ruçi nuk ka folur. LSI nuk ka thënë asnjë fjalë për arrestimin e Balilit. As kryetari i PD nuk ka thënë gjë. Po të paktën të hapnin gjoksin e të thonin se ‘u nderua vendi që një një Escobar’ shqiptar nuk rrezikon më Perëndimin.

Ose si nuk doli dikush të thotë: “Miku im, Klement; më vjen keq që u kape, por jam miku yt edhe në ditë të vështirë, si atëherë”.

I dikujt është zoti Balili.

Veritas.com.al/