Policia e Shtetit deklaroi sot se janë arrestuar 4 persona lidhur me sasinë e madhe të eurove që u kapën në portin e Durrësit.

Ata janë:

  • Agim Çeka, 61 vjeç, lindur në Luz i Madh, banues në Durrës;
  • Edi Lika (Cani), 41 vjeç, lindur në Dibër, banues në Tiranë;
  • Klevi Lika, 21 vjeç, lindur në Bulqizë, banues në Tiranë;
  • Alban Mollaymeri, 40 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë.

Ndërsa janë shpallur në kërkim dy persona të tjerë, që policia beson se janë porositësit e makinave.

Referuar burimeve policore, mësohet se porositësit janë shtetasit Elvis Vladi dhe Alfred Vladi me origjinë nga Dibra, tashmë të shpallur në kërkim.

DEKLARATA E POLICISE

Gjatë kontrollit të ushtruar në Pikën e Kalimit Kufitar Durrës në automjetin tip ‘Bizark’ të drejtuar nga shtetasi Agim Çeku dhe pronar Klevi Lika (Cani), në 2 automjete të ngarkuar në të, tip ‘Toyota’ janë gjetur një shumë e konsiderueshme eurosh dhe franga zvicerane, të padeklaruara. Gjithashtu janë ushtruar kontrolle në banesat dhe ambiente të tjera të personave të dyshuar.

Janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale:

  • 3,366,800 euro dhe 100 euro që dyshohet të jenë të falsifikuara;
  • 80,000 franga zvicerane.
  • 10 automjete, nga të cilat 7 automjete të tipit ‘Toyota Yaris’, 1 tip ‘Alfa Romeo’, 1 tip ‘Opel’ dhe 1 tip ‘Bizark’.
  • 1 armë kallashnikov me 2 krehër fishekë, gjetur nga kontrolli i ushtruar në banesën e shtetasit A.Çeka;
  • 1 radio policie;
  • 7 telefona celularë.

Nga hetimet paraprake, Policia e Shtetit ka të dhëna të besueshme se ngarkesa e sekuestruar ishte e porosituar nga shtetasit E.V. dhe A.V., tashmë të shpallur në kërkim.

Hetimet po vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe zbulimin e personave të tjerë të implikuar.

Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale e kryer në bashkëpunim”, ”Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” dhe ”Falsifikimi i monedhave”.\

 CILI ËSHTË EDI LIKA, MIKU I DJALIT TË RUCIT QË LA TË VDEKUR NJË GRUA?

Edi Lika, njëri nga katër të arrestuarit që u kapen me 3 milionë e 366 mijë euro në portin e Durrësit nuk është i panjohur për drejtësinë. Në dy raste është dënuar për krime në familje dhe në një të mëparshëm është i përmendur në një aksident automobilistik me Ledio Ruçin, djalin e Gramoz Ruçit.

Siç thonë burimet 41-vjeçari Edi Lika ishte i dënuar me arrest shtëpiak për dy vjet nga Gjykata e Apelit, raporton TCH.

Vepra për të cilën ai akuzohet është ajo e dhunës në familje ndaj të birit Klevi Cani Lika, edhe ky i arrestuar të dielën për ngarkesën e eurove e frangave, më të madhen të sekuestruar ndonjëherë.

Ngjarja ka ndodhur në fund të 2017 sipas burimeve dhe Edi Lika gjatë një drekë me familjen, por pasi ka konstatuar se porosia nuk ishte e njëjtë me çfarë kishte kërkuar ai ka qëlluar me shishë në kokë të birin.

Lika është dënuar edhe më herët po për dhunë në familje ndaj bashkëshortes. Ndërsa në vitin 2011 ai u arrestua për një aksident automobilistik në Tiranë, gjatë të cilit humbi jetën një shtetase. Në atë kohë u përfol se drejtimin e mjetit e kishte Ledio Ruçi, por ekspertiza zbuloi se automjeti drejtohej nga Edi Lika.

Kësaj radhe ndaj tij dhe bashkëpunëtorëve që u kapën në Durrës janë regjistruar hetimet për pastrim parash dhe mos deklarim të ardhurash në kufi./