Nga Enver Robelli

Në një analistë të gjatë të Enver Robellit për atë çfarë ka ndodhur sot në Kosovë, ndër rrjeshta lexon edhe një pohim mjaft interesant. … thotë se në një raport të NATO-s se Kadri Veseli, kreu aktual i Parlamentit të Kosovës raportohet të jetë kriminel dhe tregtar droge.
Nga Enver Robelli*

1. Nuk ishte kjo ditë e duhur për të arrestuar Albin Kurtin.

2. Nuk ishte aksion i mençur i policisë që të bëjë spektakël duke hyrë dhunshëm në selinë e një partie politike.

3. Arrestimet janë përpjekje e bandave të pushtetit dhe organizatës kriminale SHIK për të acaruar situatën, sepse kaosi u konvenon për të qëndruar në pushtet – si faktor stabiliteti.

4. Zhurma, dhuna, tensionet janë hiç më pak se klithma për të penguar themelimin e Gjykatës Speciale. Nëse shkojnë 10 apo 15 ish­komandantë të UÇK­së në burg për dhunim të grave rome, vrasje të civilëve serbë, ekzekutim të atyre që ishin të shënjuar si rugovistë, atëherë mund të prishet kupola e krimit. «Do të turpërohemi çfarë gjërash do të dalin në sipërfaqe», po thotë njëri prej themeluesve të UÇK­së, tash figurë e lartë në PDK.

5. Këto ditë po rrumbullakohet futja nën kontroll e shtetit nga strukturat kriminale të SHIK­ut, krahut paramilitar të PDK­së. Kreu i kësaj bande, që tash është kryetar Kuvendi me votat e LDK­së, madje po thotë se SHIK­u e paskësh evituar luftën civile ndërshqiptare. Në fakt, luftën civile ndërshqiptare e ka evituar LDK duke mos ia kthyer pushkën kriminelëve shqiptarë që pas luftës vranë dhjetëra krerë të LDK­së. Në çdo raport të NATO­s krerët e SHIK­ut përshkruhen si tregtarë droge, shefa të nëntokës së krimit të organizuar, të korruptuar – apo thjeshtë si vrasës! Ata rrinë në pushtet falë ismetbeqirave, isamustafave dhe faqezinjve të tjerë.

6. Dita e Flamurit, 28 nëntori i sivjetmë, shkoi sipas skenarit: kryeministri (po!) Hashim Thaçi hodhi benzinë në zjarr me milicinë e tij, Isa Mustafa iku diku sypatrembur dhe krenar për aleancën e tij me nëntokën politike, ndërsa Albin Kurti e mori rolin e martirit – atë rol që e kërkon me ngulm. Kush humbi? Republika dhe qytetarët e saj! Kush u gëzua? Rusia dhe Serbia!

7. Lëvizja Vetëvendosje mund të ketë kërkesa të arsyeshme, por lufta me gaz lotsjellës në parlament dhe me sprej është e papranueshme. Kush mendon se këso sjelljesh janë thjeshtë bagatellë, ka probleme serioze me kuptimin e shtetit dhe ligjit. Nëse granatat e gazit lotsjellës pranohen si pjesë e debatit politik, nesër lirisht mund ta legalizojmë edhe vrasjen në emër të kauzave të larta.

8. Kjo polici do të ishte e besueshme nëse me po kaq këmbëngulje do arrestonte edhe djemtë e Adem Grabovcit për sulm ndaj policisë.

9. Kjo gjyqësi do të ishte e besueshme nëse me kaq këmbëngulje do të merrej me dosjet e ish­drejtorëve të Isa Mustafës në Komunën e Prishtinës.

10. Ky 28 nëntor ishte veç një ditë e zezë e faqezinjve – në pushtet dhe opozitë.

11. Opozita paralajmëroi një protestë në mbrojtje të Republikës. Në këtë manifestim për Republikën më së shumti u sha flamuri i Republikës. Thua se flamuri është fajtor për dështimet e Kosovës. Ka dhjetëra shtete me flamuj me dizajn më të zbehtë se ky i Kosovës, por janë shtete shumë më të suksesshme.

12. Në manifestim u treguan shumë përralla patriotike pa i përmendur themeluesit e Republikës së Kosovës.

13. U dëgjuan mesazhe mesianike nga mesia vetë.

14. U demonstrua ambicie për të drejtuar gjeopolitikën – mundësisht në njërën anë delegacioni i revolucionarëve supershqiptarë A. Kurti, R. Haradinaj, F. Limaj – dhe në anën tjetër të tavolinës: Barack Obama, Angela Merkel, Vladimir Putin, Xi Jinping, Narendra Modi, Shinzo Abe, Dilma Rousseff, Jacob Zuma, Rexhep Taip Erdogan…

15. U ngatërrua shteti me pushtetin! Edhe më keq: u shfaqën ambicie destruktive që në emër të luftës (legjitime!) për pushtet me një harxh të groposet edhe vetë ideja për Republikën e Kosovës. Pastaj ia dorëzojmë në tabak gjysmën Serbisë, gjysmën Shqipërisë – dhe i biem çiftelisë. Fundja, Tadiqi, Daçiqi dhe të tjerët në Beligrad ka vite që thonë: për ndarjen e Kosovës duam të flasim me Tiranën.

16. S’keni faj, supershqiptarë, xxl­shqiptarë, hipershqiptarë opozitarë. Rrogat prej buxhetit të Kosovës i merrni.

17. E votat? Për këtë nuk duhet të talleni me popullin.

18. Kujt nuk i pëlqen flamuri i Kosovës le të gjejë vende të tjera për të kandiduar. Edhe politika është treg i hapur. Fetishizimi i flamurit kombëtar dhe shfrytëzimi e keqpërdorimi i tij për të pështyrë mbi flamurin e Kosovës në fakt e tregon fytyrën e vërtetë të mitingashëve që bërtasin nga foltorja. Por britma kurrë nuk ka qenë argument për të bindur askënd.

19. Ramush Haradinaj paskësh pyetur në miting: pse Kosova sot është «e përulur dhe e turpnume», «e lodhur dhe ekonomikisht e dërmuar». Pyetje të mira dhe të bëra pikërisht nga njëri prej shkaktarëve që Kosova është e tillë sot.

20. Ka një shpjegim përse nuk ka disponim të madh në opinion për kursin aventurier të opozitës: jo pak krerë të saj janë po aq të përlyer në krim sa një pjesë e madhe e pushtetarëve. Bashkë e kanë fundosur Kosovën dhe në çastin e fundit duan të përdorin biletën patriotike për të hyrë në vagonin e historisë.

21. Mësimi nga kjo ditë: në këtë betejë ka pak heronj dhe shumë faqezinj, të paaftë për të kuptuar se frustrimi personal apo frika nga dora e drejtësisë ndërkombëtare nuk janë arsye për të demontuar një shtet.