Kuvendi ka miratuar në mbledhjen e sotme parlamentare shtyrjen e Gjendjes së Fatkeqësisë Natyrore, deri më datë 23 qershor.

Me 91 pro, 5 kundër dhe 36 abstenim, u miratua vendimi i Qeverisë për shtyrë masat deri në fund të qershorit për shkak të situatës së krijuar nga koronavirusi.

Kërkesa e qeverisë për të shtyrë gjendjen e Fatkeqësisë Natyrore deri në 23 qershor ka shkaktuar debate në radhët e opozitës, të cilët e kanë konsideruar si një masë të panevojshme dhe të pakoordinuar me ekspertët.

Seanca e sotme u shoqërua me akuza dhe kundër akuza mes deputetëve të pranishëm në sallë.

Deputetët e opozitës në sallë theksuan se qeveria po vepron pa patur një plan konkret për përballimin e situatës duke improvizuar, ndërsa Taulant Balla dhe deputetët e tjerë të PS theksuan se shtyrja është e nevojshme është në shërbim të një kontrolli më të plotë të situatës.