Dy ditë para protestë së paralajmëruar të demokratëve, situata në Kuvend është bërë “shpërthyese”. Përgjatë 2 orëve të seancës nuk kanë munguar akuza, fyerjet dhe deri përplasjet fizike mes deputetëve të PD-së dhe atyre të Partisë Socialiste.

Incidenti më i rëndë është ai mes deputetit demokrat, Flamur Noka dhe socialistit, Erion Braçe. Gjatë kohës që në podiumin e Kuvendit ishte duke folur ish-kryeministri Sali Berisha, socialisti Braçe është dëgjuar të lëshoi një sërë fyerjesh me fjalësh banale ndaj ish-kreut të PD-së.

Fjalori i Braçes ka acaruar së tepërmi demokratët. Flamur Noka është filmuar nga kamerat teksa ka tentuar ta qëllojë më grusht Braçen. Ndërsa deputetë të tjerë të PD-së janë ngritur në këmbë duke e bërë të pamundur vijimin e punimeve të Kuvendit.

Drejtuesja e seancës, Nënkryetarja e Kuvendit, Valentina Leskaj pas ndërprerjes së seancës ka kërkuar përjashtimin e deputetit Flamur Noka. Kjo ka sjellë dhe reagimin e demokratëve, të cilët kanë kërkuar dhe largimin nga seanca edhe të deputetëve, Braçe dhe Taulant Balla. Ndërkohë deputeti Braçe tha se do të bënte kallëzim penal ndaj Flamur Nokës.

Berisha: PS ka frikë nga uragani i 18 shkurti

Akuzat verbale kanë vijuar dhe jashtë sallës së Kuvendit. Ish kryeministri Sali Berisha është shprehur jashtë dyerve të sallës së seancave plenare se më 18 shkurt protesta do të jetë një uragan. Ai e ka quajtur protestën e Partisë Demokratike një lëvizje misionare për t’u kthyer shqiptarëve shpresën dhe besimin. “Rama po fshihet, por do të japë llogari shqiptarëve. Kjo qeveri është e pashpresë, sheshi më 18 shkurt do të jetë uragan. Misioni i protestës është historik, nxjerrja e Shqipërisë nga mega-korrupsioni”, është shprehur Berisha.

Balla: Kamikazët e PD. Balla qahet për sulmin e Nokës.

Nga ana tjetër, nënkryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla e ka cilësuar si një ngjarje “tejet të rëndë” sulmin e Nokës ndaj Braçes, që sipas tij përbën vepër penale.  “Sot kemi një rast tejet të rëndë, kur një deputet i PD ka goditur deputetin tonë Erion Braçe. Kemi të bëjmë me një vepër të rëndë penale, “goditje për shkak të detyrës””, ka thënë Balla jashtë sallës së Kuvendit.

Ai është shprehur se, nuk është aspak i vërtetë pretendimi se goditja e Nokës ka ardhur si pasojë e reagimit të Braçes ndaj fjalimit të Berishës, duke akuzuar deputetët demokratë për shkelje të rregullores së Kuvendit.  “Që këtu uzurpohet foltorja e Kuvendit, që këtu goditen deputetët me grusht pasi është dhënë porosia nga Luli dhe Saliu që të ndizet klima politike, kjo është çështje e tyre. Por këtu ta harrojnë se mund të shkelin rregulloren”, ka thënë Balla.  Ai ka bërë me dije se, pas pak do të mblidhet Byroja Parlamentare për të shqyrtuar kërkesën e disa deputetëve të PS që kërkojnë përjashtimin e Nokës për 10 ditë, “vendim pa të cilin nuk mund të ketë një vijim normal të punimeve”.

“I bëj thirrje Bashës që të heqë dorë nga urdhrat dhe keqpërdorimi i deputetëve të tij dhe të ndikojë edhe tek Berisha që deputetët e PD të mos kthehen në kamikaz që zbatojnë urdhrat”, ka shtuar Balla.

Paloka: Mazhoranca e mbërthyer nga frika

Kryetari i grupit parlamentar të PD, Edi Paloka e ka quajtur pasojë të frikës që ka mbërthyer maxhorancën incidentin e verifikuar në seancë.  “Kjo maxhorancë është në situatë frike, se nuk ka si shpjegohet ndryshe kjo sjellje. Është pezulluar puna dhe drejtuesja e seancës nuk shpjegon dot arsyet”, ka thënë Paloka, i cili ka bërë fajtorë “deputetët tipikë” të sherreve, Braçe dhe Balla.  Duke mbrojtur kolegun e tij Noka, Paloka ka insistuar se kërkesa e PD është që të përjashtohen të gjithë ata që kanë shkelur rregulloren.  “Kjo vjen nga një situatë frike që ka mbërthyer maxhorancën e që e reflekton më mirë kryetari i tyre. Rama ka frikë, prandaj prej 1 muaji nuk paraqitet në Parlament dhe u jep urdhra këlyshëve të tij”, ka shtuar Paloka.