Zëvendëskryeministrja  Ledina Mandija, e quajtur ndryshe edhe ‘teknike’ sipas marrëveshjes Rama- Basha, ka sqaruaar se ministrat teknikë kanë detyrimin ligjor të qëndrojnë në detyrë deri në emërimin e ministrave të rinj. Ajo ka thënë se ministrat mund të japin dorëheqjen, por sërish funksionin e kanë derisa të vijë pasuesi. Dje kryeministri Rama tha se pret që ministrat teknikë të japin dorëheqjen.

“Sipas Kushtetutës, ministrat qëndrojnë deri në ardhjen e ministrit tjetër. Është në vlerësimin e ministrave, në lidhje me dorëheqjen, apo qëndrimin, ashtu siç është edhe në vlerësimin e kryeministrit për shkarkime referuar Kushtetutës. Ajo që dua të them është se ministrat në bazë të Kushtetutës duhet të qëndrojnë aty edhe po në rastin që do të bënin një dorëheqje”, është shprehur Mandija për “News 24”.

Ajo ka folur dhe për raportin përfundimtar të Task-Forcës, për të cilin specifikoi se do të publikohet brenda disa ditësh. “Raportet do të bazohen mbi raportet e sjella nga ministritë përkatëse. Bëhet fjalë për punë ditësh. Është një punë voluminoze. Problem ka rezultuar se disa ministri nuk kanë sjellë informacione, ka munguar ose ka ardhur me vonesë. Ministrat teknikë kanë prezantuar çdo gjë për publikun. Në qoftë se unë them që informacioni nuk ka ardhur në mënyrën e duhur, këtë e them jo duke i ndarë sipas ministrive, por e them për të gjitha ministritë të përgjithësi”, u shpreh zv.kryeministrja.