Ish-kryeprokurori i Shqipërisë, Adriatik Llalla, ka apeluar të hënën e 18 tetorit vendimin e Shkallës së Parë për pezullimin e dënimit me dy vite burg.

Përmes avokatit të tij mbrojtës, Sokol Hazizaj, pezullimi i vendimit kërkohet, pasi mbyllja e tij në qeli do t’i sillte pasoja të rënda për shëndetin.

Tashmë do të jetë apeli i Gjykatës së Posaçme për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar (GJKKO), ku pas caktimit të një date do vendosë nëse do lërë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë, që rrëzoi kërkesën e Llallës, apo do pranojë kërkesën e tij për pezullim dënimi.

Të enjten e 14 tetorit, GJKKO e rrëzoi kërkesën për pezullim dhe shtyrje të ekzekutimit të vendimit, për dënimin e ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla.

Avokati i tij mbrojtës e ka depozituar kërkesën më 9 tetor 2021.

Kerkesa erdhi nje dite pasi Llalla u shpall ne kerkim nderkombetar nga SPAK.

Më 22 shtator, policia shkoi për të zbatuar urdhrin e arrestit, por Adriatik Llalla, nuk u gjend në shtëpi. Pas kësaj, policia e shpalli në kërkim kombëtar.

Vendimi për dënimin e ish-kryeprokurorit qëndroi në fuqi, edhe pas apelimit që ai i bëri çështjes rishtazi.

Llalla është dënuar me vendim të formës së prerë me dy vjet burg dhe pesë vjet përjashtim nga çdo post dhe funksion publik.