Gjykata e Tiranës ka pushuar çështjen ndaj Lulzim Bashës dhe dy zyrtarëve të Partisë Demokratike të akuzuar për kontratat e lobimit në SHBA me financime ruse.

Gjykata rrëzoi akuzën e Prokurorisë ndaj Bashës, ish-Sekretarit të Përgjithshëm të PD Arben Ristani dhe financuesit të partisë Ilir Dervishi.

Gjatë dy viteve hetime, zyrtarët e PD-së u akuzuan për lobimin e pretenduar me para ruse, që kapte shifrën e 675 mijë Dollarëve.

Mirëpo, gjyqtari i çështjes tha se nuk provohet falsifikimi i dokumenteve, dhe për këtë arsye vendosi pushimin e çështjes. Lulzim Basha nuk mori pjesë në seancë, por u përfaqësua nga avokatët Eduart Halimi dhe Ivi Kaso.

Në përfundim të seancës, Halimi e konsideroi të gjithë hetimin një “gjueti shtrigash”, ndërsa përshëndeti vendimin e Gjykatës së Tiranës.

“Vendimi i sotëm i gjykatës ishte një vendim drejtësie. U provua pas më shumë se 2 vite hetime nga ana e prokurorisë, se gjithçka ishte një akuzë tërësisht e sajuar, bazuar vetëm mbi spekulime, dhe u vërtetua katërcipërisht se nga 2 vjet hetime nuk kishte asnjë lidhje Partia Demokratike dhe nuk kishte asnjë vepër penale. Nuk ishte shkelur asnjë ligj nga Partia Demokratike dhe as nga zyrtarët e saj, as në Shqipëri dhe as në vend tjetër. U vërtetua katërcipërisht se vepra penale nuk ekzistonte, fakti nuk ekziston, dhe vendimi i sotëm është një vendim për t’u përshëndetur. Pra, ishte një vendim drejtësie. Ky ishte një vendim që rrëzoi tërësisht gjithë akuzën, gjithë gjuetinë e shtrigave që për dy vjet u mbajt në territorin e prokurorisë dhe që u rrëzuan përfundimisht të gjitha akuzat ndaj Partisë Demokratike”, tha Eduart Halimi për mediat.

Veritas.com.al/