Analisti Fatos Lubonja në një shkrim të sotëm botuar te “Panorama” thotë se kryeministri Rama po luan bllofin me reformën në drejtësi, pasi ai nuk e do një sistem drejtësie të pavarur.

Në mbështetje të kësaj teze Lubonja sjell në vëmendje tre skandale të bujshme të javëve të fundit: çështjen “Roshi”, plantacionet e trefishuara të kanabisit sipas raportot të Guardia di Finanzia dhe përgjimet.

“Si ka mundësi që kjo qeveri bërtet kaq fort për Reformën në Drejtësi në emër të një Drejtësie të pavarur nga politika, kur vetëm bazuar në tri rastet që përmenda, një Drejtësi e tillë do ta kryqëzonte Qeverinë? Si ta shpjegojmë se pse nuk ka frikë Edi Rama nga Reforma në Drejtësi? Një pjesë mbrojtësish të Reformës, që e shohin këtë kontradiktë dhe e pranojnë se Rama, ashtu si Berisha dhe Basha apo Meta, nuk e do një reformë të barabartë me Drejtësi të pavarur prej tyre, argumentojnë se këtë reformë ua kanë imponuar ndërkombëtarët. Dhe kështu, për të mos u prishur me ta, Rama, që ka më shumë karta në dorë, po blofon sikur e do reformën, për të rritur mbështetjen e ndërkombëtarëve. Në njëfarë kuptimi pra, këta mbrojnë idenë se shqiptarët duhet të kenë besim te reforma, pasi prapa saj janë ndërkombëtarët që janë bërë garantë se kjo reformë nesër mund të rrëzojë edhe Ramën vetë; se reforma ka ardhur si rezultat i një procesi që është i pashmangshëm, do apo nuk e do Rama, Meta, Berisha apo Basha”, shkruan Lubonja.

Në vijim të shkrimit ai shton se “Sipas këtij varianti, guximi i Ramës qëndron te blofi ndaj një pokeristi si Basha, që është në pozita shumë më të dobëta. Po a mund të shpjegohet kështu guximi i kësaj qeverie që s’ka ditë që nuk bën shkelje skandaloze të ligjit dhe që prandaj duhet t’i trembet si shejtani nga thimjami Drejtësisë? Sipas mendimit tim, shpjegimi i guximit të Ramës & Co me blofin, nën hundën e ndërkombëtarëve naivë dhe syleshë, nuk qëndron. Ky guxim duhet kërkuar gjetkë si kur marrim në analizë Ramën, edhe kur marrim në analizë qëndrimin e disa ndërkombëtarëve të angazhuar në këtë proces”.

Më tej Lubonja kritikon qëndrimet e ndërkombëtarëve, që sipas tij janë të përfshirë në propagandën e Ramës për të mbuluar skandalet e qeverisë.

“Janë disa ambasadorët që në biseda gjysmëkonfidenciale thonë se Rama u ka thënë atyre se për të rrëzuar frontin e së keqes Berishën & Co, i është dashur të bëjë kompromise me të fortë dhe kriminelë, për këtë arsye, p.sh., u bashkua me Tom Doshin etj., etj. si ky. Por, ama, këta do t’i pastrojë. Dhe për këtë i duhet Reforma në Drejtësi, pasi Drejtësia është në duart e frontit të së keqes, Berisha & Meta. Sigurisht e kaluara e këtyre e ndihmon shumë për të ruajtur këtë imazh. Në këtë lojë imazhi ai ka përfshirë edhe ndërkombëtarët, edhe ambasadorët Lu dhe Vlahutin mes të tjerash.Si rezultat i kësaj politike imazhi, ndërkohë që drejtësia e vërtetë që duhet të kërkojnë edhe ndërkombëtarët, është transparencë mbi rastet e përmendura dhe kalimin në bankën e drejtësisë së përgjegjësve, Reforma në Drejtësi e promovuar prej tyre po ndihmon që këto skandale të mbulohen.  Ka ardhur koha që ambasadori Lu dhe ambasadorja Vlahutin t’u japin përgjigje shumë shqiptarëve që, të ballafaquar përditë me skandale të tilla, pyesin: A nuk e shohin këta këtë rrezik apo bëjnë gjethen e fikut të qeverisë për interesa që s’kanë të bëjnë me kërkesat e shqiptarëve për më shumë drejtësi, liri dhe demokraci?”, shkruan Lubonja.