Largimi i investitorit Faad Mitri me kompaninë Albania Omnix, ka shkaktuar tronditje në publik dhe në politikë. Opozita ka akuzuar qeverinë Rama se ka ushtruar terror mbi investitorin që ky të largohet nga vendi. Dje, kompania Omnix lëshoi një deklaratë ku njofton se largon nga Shqipëria ဧdo biznes të saj.

Pak ditë më parë pronari i kompanisë, Faad Mitri, u rrah barbarisht në rrugë nga “njerëz të paidentifikuar”.

Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani, që është pjesë e LSI në koalicion me PS-në e Ramës,  ka lëshuar sot një urdhër për nisjen e një hetimi administrativ lidhur me sqarimin e situatës së pronësisë mbi truallin në Gjirin e Lalzit, ku do të investonte shoqëria OMNIX.

Manjani urdhëron mbledhjen e informacionit zyrtar nga arkiva e Agjencisë së Trajtimit të Pronës (ATP). Informacion i detajuar do t’i kërkohet edhe ZVRPP Durrës.

Urdhri parashikon nisjen e inspektimit për sqarimin e legjitimitetit të vendimeve të gjykatës së Durresit. Sipas këtij njoftimi konkluzionet e hetimit do të bëhen të ditura shumë shpejt në përfundim të procedurave ligjore.

Omnix do të ndërtonte një resourse turistik në  Gjirin e Lalzit, me një investim prej 450 milionë dollarë. Dhunuesit e Faad Mitri e urdhëruan që të largohet nga investimi.