Edhe pse një ditë shumë e vështirë emergjencash pas përmbytjeve që ka pësuar gjithë vendi prej reshjeve të fundit, Ministri i Brendshëm, dinamizmin kryesor ia ka kushtuar një përgjigjeje në formën sulmi e akuzash kundër Këshillit të Lartë të Drejtësisë, pas ky organizëm e kallëzoi penalisht Tahirin për akuzat ndaj gjyqtarit Arjan Aliaj.

Arjan Aliaj është gjyqtari që vendosi masën e sigurisë arrest shtëpie për dy zyrtarë të lartë të Ministrisë së Brendshme, si dhe pezullimin nga detyra të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së sjhetit, për shkak të skandalit të përgjimeve të paligjshme nga Policia e Shtetit.

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka ashpërsuar akuzat ndaj sistemit të drejtësisë. Ai ka vënë në shenjestër sot Këshillin e Lartë të Drejtësisë, i cili e kallëzoi atë penalisht për akuzat që ngriti ndaj gjyqtarit Arjan Aliaj. Ministri i Brendshëm tha se “KLD ishte Këshilli i Lartë i Pasurisë dhe Padrejtësisë, që ka fytyrën e kryetarit të tij, presidentit Bujar Nishani dhe anëtarit Gjin Gjoni”.

Ndërkohë, në Ministrinë e Brendshme po vërshojnë informacionet dhe thirrjet telefonike nga gjithë vendi, me të cilat kërkohet ndihma e shtetit për të shpëtuar njerëz dhe prona pas përmbytjeve të rënda.