Ish-kryeprokurori Adriatik Llalla transformoi një investim prej 16.3 milionë lekësh në një kapital me vlerë 1 milionë eurosh, përmes transaksioneve me një person të dënuar për vrasje, një biznesmen kafeje-fitues tenderi në Prokurori dhe një instruktor hipizmi i përdorur si sekser tokash, ndërkohë që pretendon se çdo pronë e tij është e ligjshme.

Një person i dënuar për vrasje, një biznesmen kafeje- fitues i një tenderi në Prokurorinë e Përgjithshme dhe një instruktor hipizmi i përdorur si ndërmjetës për blerje tokash janë personazhet që lidhin bashkë një zinxhir transaksionesh financiare, që i mundësuan ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla të dhjetëfishojë pasurinë e tij.

Ky rreth i vogël ortakësh kontroversë hyri në biznes me ish-kreun e Prokurorisë duke i shitur toka të lakmueshme në periferi të Tiranës me çmime disa herë nën vlerën e tregut ose duke ia blerë ato me çmime reale; skemë kjo që i mundësoi Llallës të transformojë investimin e tij prej vetëm 16.3 milionë lekësh në një kapital të vyer me vlerë afro 1 milion euro.

Transaksionet multimilionëshe, që si burim kryesor kanë shitjen e një toke në kushtet e dyshimta të konfliktit të interesit janë bërë objekt i një procedimi penal të regjistruar kundër Llallës: i pari i këtij lloji në Shqipëri ku një Prokuror i Përgjithshëm dyshohet për pastrim parash.

Procedimi i regjistruar më 15 mars nga Prokuroria e Durrësit po e heton gjithashtu Llallën për veprat penale të “deklarimit të rremë të pasurisë”,  “mosdeklarimit të shumës së të hollave në kufi” dhe “shpërdorimit të detyrës”.

I ngjitur në krye të Prokurorisë së Përgjithshme prej vitit 2012, Adriatik Llalla e mbylli karrierën e tij në sistemin e drejtësisë si i vetmi zyrtar shqiptar i shpallur publikisht dhe familjarisht “non grata” nga Departamenti amerikan i Shtetit me argumentin e përfshirjes “në mënyrë domethënëse në korrupsion”.

Deklarata publike e ish-sekretarit amerikan të Shtetit, Rex Tillerson erdhi pak ditë pasi ish-kryeprokurori hoqi dorë nga e drejta për të qëndruar në sistemin e drejtësisë; dorëheqje e cila solli edhe ndërprerjen [përkohësisht] të procesit të vetingut për të.

I gjendur në qendër të akuzave për pastrim parash dhe shpërdorim detyre, Llalla i tha BIRN se “ndjehej i qetë, i pastër me veten dhe se nuk e shqetësonte asgjë”.

Ai i hodhi poshtë akuzat për pasurinë e tij dhe pohoi se blerjet e tokave ishin bërë në përputhje me ligjin dhe në ndjekje të dëshirës së tij për të krijuar një lloj trashëgimie familjare mbi gjurmët e pasionit të të atit si agronom.

“Pasuritë e mia janë tërësisht të ligjshme, të deklaruara në institucionet përkatëse, për të cilat janë paguar edhe taksat përkatëse..,” tha Llalla në një intervistë për BIRN.

“Nuk shoh asnjë problematikë në këtë drejtim. Nuk ka asgjë për të cilën unë të jem i shqetësuar apo dhe i frikësuar,” shtoi ai, duke iu referuar hetimit të tij.

Të dhënat e siguruara nga BIRN përmes analizimit të deklaratave të pasurisë dhe gjashtë kontratave noteriale të blerjes së pronave tregojnë se Adriatik Llalla u bë pronar i më shumë se 25 mijë metrave katrorë tokë gjatë viteve 2007-2017, duke paguar për to një çmim total prej 16.3 milionë lekësh.

Tokat, të cilat shtrihen përballë qendrës tregtare TEG në Mjull Bathore dhe pranë një resorti të njohur në fshatin Qeha Shytaj në Tiranë i janë nënshtruar procesit të rivlerësimit nga Llalla vetëm pak kohë pas blerjes së secilës prej tyre, duke e rritur automatikisht vlerën e tyre në 119.7 milionë lekë në total.

Burimi i deklaruar i pasurisë për blerjen e tyre është një borxh prej 1.5 milionë lekësh nga kunati në vitin 2007 dhe shitja e një sipërfaqeje prej 3 mijë metrash katrorë në Mjull Bathore për 249 mijë euro.

Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se kjo parcelë toke i është blerë një personi me precedentë penalë  dhe i është shitur një biznesmeni të njohur në Tiranë, të cilin e lidh me kryeprokurorin Llalla një histori e mëparshme prokurimi publik.

Biznesi i Adriatik Llallës me tokat nis më 9 janar 2007, në kohën kur ai mbante postin e zv.drejtuesit të Prokurorisë së Tiranës dhe përfshin blerjen e një sipërfaqeje toke prej 3 mijë metrash katrorë ullishte në Mjull Bathore. Çmimi i deklaruar i blerjes është 1.5 milionë lekë të reja dhe burimi i tyre, sipas deklaratës së pasurisë së vitit 2008 është një borxh i marrë te kunati.

Sipas kontratës noteriale të cilën BIRN e disponon, Llalla ia bleu këtë tokë Eduart [Edison] Dushkut-një personazhi të njohur në zonën e Saukut dhe me një skedë të larmishme  kriminale, mes të cilave edhe një dënim për vrasje. Dushku, i cili zotëronte edhe një linjë urbanësh në Sauk u arrestua për herën e disatë nga policia në 1 mars 2018, pasi u kap me një arsenal armësh dhe në thyerje të masës së “arrestit shtëpiak” për një krim të mëparshëm.

Katër vjet pasi ia bleu tokën Dushkut për 1.5 milionë lekë, Llalla e rivlerëson atë në 21 milionë lekë ose 14 herë më të lartë se çmimi i blerjes. Çmimi në treg i pronës rezultoi të ishte megjithatë edhe më i lartë se ai i referencës, çka i siguroi atij një portofol të pasur parash për transaksionet e mëvonshme në pasuri të paluajtshme.

Më 4 qershor 2016, Llalla hyn në marrëdhënie biznesi me kompaninë e ndërtimit LIM-EM sh.p.k, së cilës i shet tokën në Mjull Bathore për një vlerë totale prej 249 mijë eurosh.

LIM-EM është një kompani ndërtimi e themeluar nga biznesmeni Shkëlqim Beshiri, i njohur edhe për tregtinë e kafesë “Segafredo” dhe që zotërohet në 50 % të aksioneve prej tij dhe 50 % nga i vëllai Ardian Beshiri.

Biznesi fitimprurës me vëllezërit Beshiri nuk ishte megjithatë i pari për kreun e akuzës.

Në vitin 2013, kompania LIM-EM u shpall fituese për ndërtimin e një restoranti me konstruksion metalik mbi tarracën e Prokurorisë së Përgjithshme, ç’ka ngre dyshime serioze për konflikt interesi në këtë transaksion.

Tregti e dyfishtë

Të dhënat e siguruara nga Thesari i Shtetit tregojnë se kompania e vëllezërve Beshiri ka marrë dy pagesa nga Prokuroria e Përgjithshme për rikonstruksionin e ndërtesës, të cilat kapin në total vlerën e 4.9 milionë lekëve. Restoranti është dhënë me qira prej vitit 2013, por Prokuroria e Përgjithshme nuk i dha përgjigje pyetjeve të BIRN se prej kujt menaxhohej ky lokal përgjatë 5 viteve.

Ish-kryeprokurori Llalla e cilëson blerjen e tokës për 1.5 milionë lekë dhe shitjen e saj për 249 mijë euro totalisht të ligjshme dhe e shpjegon rritjen e vlerës së saj me hovin e zhvillimit që mori pas vitit 2007 zona rreth qendrës tregtare TEG.

“Toka u ble në vitin 2007. Ishte një zonë e pazhvilluar. Fillimet e ndërtimit të komplekseve rezidenciale e rritën kërkesën dhe interesin për të,” tha Llalla për BIRN.

I pyetur nëse kishte dijeni për precedentët penalë të personit që ia kishte blerë tokën, Llalla u përgjigj se kishte marrë informacion për të dhe nuk rezultonte që ai të kishte probleme me drejtësinë. Sipas tij, precedentët penalë të Dushkut datojnë prej vitit 2011.

“Unë krijova një ide se kush ishte subjekti të cilit do i blija pronën. Më rezultonte një njeri punëtor, pa precedentë dhe pa probleme me drejtësinë,” tha ish-kryeprokurori.

Në intervistën me BIRN, Llalla e përshkroi marrëdhënien e tij me biznesmenin Beshiri me atë të dy personave të interesuar për të arritur një marrëveshje për 3 mijë metrat katrorë në Mjull Bathore.

“Ai ishte një  biznesmen që kishte interes aty.  Mbaj mend që zoti Beshiri ishte i interesuar bashkë me një ndërtues tjetër për të ndërtuar komplekse rezidenciale dhe bashkëortaku i tij  ka marrë  me kredi një sipërfaqe shumë të madhe toke. Bëhet fjalë për pronarin e Lion Parkut,” tha Llalla.

Në një kontakt të dytë, kur u pyet mbi rrethanat se si i kishte shitur tokën një personi që kishte fituar më parë një tender në Prokurorinë e Përgjithshme, reagimi i Llallës nuk ishte njësoj i shkujdesur.

“Nuk jam unë në konflikt interesi, nuk është prokurori ai që merret me atë punë [tenderat]. Ka sekretar të përgjithshëm, ka drejtues administrativ. Nuk merret Prokurori me atë pjesë,” tha Llalla i irrituar përmes telefonit.

“Komentojeni si të doni, nuk kam asnjë koment,” shtoi ai.

Veritas.com.al/