Komisioni hetimor për zgjedhjet i ngritur me kërkesë të Partisë Demokratike, ka filluar punën të hënën e 18 tetorit në orën 15:00.

Kryetar i komisionit, Enkelejd Alibeaj, deputeti i PD-së, fillimisht konstituoi komisionin dhe prezantoi anëtarët e tij.

Gjithashtu kryetari njoftoi se afati i komisionit është tre mujor.

“Të gjithë anëtarëve të Komisionit do t’i lihet një kohë për të bërë plotësimet që duhen. Plani nuk miratohet sot. Ndërsa sa i përket rregulloreve, ato janë standarde dhe vetëm pasqyrojnë përmbajtjen e aktit bazë”, tha Alibeaj.

I pari që kërkoi fjalën ishte zëvendëskryetari i këtij komisioni, Toni Gogu, përfaqësues i PS-së.

Gogu tha se në rend të ditës duhet të jetë konstituimi, ndërkohë që kërkoi më shumë kohë për të parë dy materiale që i kanë shkuar anëtarëve.

Lidhur me këtë Alibeaj theksoi se mbledhja e parë konstituive, “jo vetëm ka të paracaktuar momentin se kur mblidhet, ditën, por në ligjin përkatës, është caktuar se cili do të jetë rendi i ditës”.

Nga ana tjetër, deputeti i PD-së, Ervin Salianji, tha se Partia Socialiste po tenton që të ngadalësojë procesin.

Ai kërkoi që media të jetë e pranishme në këtë Komision pasi është një çështje që prek gjithë opinionin publik.

“Kisha edhe një kërkesë, media të jetë e pranishme gjatë gjithë kohës, pasi Covid nuk është çështje që futet me minuta”, tha Salianji.

Alibeaj, shtoi  se qëllimi i këtij komisioni është kontrolli i veprimtarisë së pushtetit vendor dhe fondet e institucioneve për qëllime elektorale.

“Ky komision do të hetojë dhënien e shpërblimeve të dëmeve të tërmetit, verifikimin e legalizimeve për qëllime elektorale, punësimet në administratë për qëllime elektorale, përdorimin e të dhënave personale. Komisioni më pas do të njoftojë prokurorinë për hetimet në lidhje me këto çështje”.

Gjatë mbledhjes, ka pasur kundërshti nga përfaqësuesit e mazhorancës. Klotilda Bushka ka propozuar që të përcaktohen dy përfaqësues nga dy palët për të miratuar. Ajo propozoi Nasip Naçon si përfaqësues.

Sipas rendit të ditës, pas konstituimit të Komisionit dhe prezantimit të anëtarëve, bëhet deklarimi i qëllimit të ngritjes, përcaktimi i detyrave të Komisionit, shqyrtimi dhe miratimi i rregullores së brendshme.

Zgjedhja e sekretarit të Komisionit, vlerësimi i të dhënave paraprake si dhe përcaktimi i mbledhjes së radhës janë gjithashtu pjesë e rendit të komisionit.

Ngritja e komisionit

Partia Socialiste e pati bërë të qartë që më 11 tetor, se për ngritjen e komisionit hetimor për pretendimin e “masakrës zgjedhore” nga ana e demokratëve, do ta kalonte në Kuvend.

Kreu i Grupit Parlamentar të të majtëve, Taulant Balla, ishte ai, i cili qartësoi qëndrimin e socialistëve mbi çështjen.

Më 1 tetor, nënkryetarja e Partisë Demokratike, Grida Duma, pati njoftuar se demokratët do të kërkonin ngritjen e tre komisioneve hetimore.

Ky i zgjedhjeve, ishte i pari që u pranua. Pritet që në seancën e ardhshme, të votohet pro edhe për komisionin hetimor mbi “Inceneratorët”.

Ndërsa ngritja e një komisioni për shqyrtimin e çështjes Becchetti, nuk u pranua nga mazhoranca.

Ky i “masakrës zgjedhore” është komisioni i parë që do të nisë zyrtarisht punë. Periudha e caktuar është prej tre muajsh.

Nëse demokratët nuk arrijnë të verifikojnë shkelje në proces, atëherë një ndër kauzat e tyre më të mëdha në opozitë, do të bjerë.