I dërguari i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, përsëri erdhi në Kosovë dhe po përsëri për të diskutuar për versionin e fundit të planti franko-gjerman (evropian).

 

Kjo marrëveshje, e pagëzuar tashmë si Marrëveshja Bazë mes dy vendeve dhe e modeluar sipas marrëveshjes së dy-Gjermanive, tashmë ka marrë formën përfundimtare.

 

Por, e veçanta e propozimit aktual – i cili vështirë që do të ketë më ndryshime thelbësore – është që pas nënshkrimit, nga palët nuk do të kërkohet që marrëveshja të ratifikohet në parlamentet përkatëse.

Në këtë mënyrë të dyja palët çlirohen nga presioni i brendshëm që mund të krijohet nëse kërkohet që marrëveshja të ratifikohet në parlamente.

Kjo për shkak që, siç thuhet në nenin 6, kjo nuk është marrëveshja finale, ligjërisht obliguese në mes të palëve.

Sipas logjikës së hartuesve, dhe për të cilën Albanian Post ka shkruar me 12 nëntor, marrëveshja do të hyjë në fuqi menjëherë pas nënshkrimit, si zotim i të dyja palëve.

Duke e kornizuar marrëveshjen si çështje brenda evropiane, implementimi i saj do të kthehet në kusht të pakapërcyeshëm drejt integrimit në BE.

Sipas burimit të AP, ky trajtim obligues nga BE-ja e kthen marrëveshjen në detyrim për të dyja palët gjatë procesit të integrimit, pavarësisht mungesës së ratifikimit në parlamentet përkatëse.

Burimet e AP pohojnë që në këtë proces pjesa më e rëndësishme është fryma e marrëveshjes dhe mënyra si ajo interpretohet nga ndërmjetësit, në këtë rast BE-ja.

Pra, me vendosjen e firmës në marrëveshje, Kosova dhe Serbia e pranojnë implementimin e kësaj marrëveshjeje si kusht shtesë në rrugën e tyre drejt integrimit evropian.

Kjo frymë është e pasqyruar në nenin 10 ku thuhet që palët do të themelojnë komisionin e përbashkët, të kryesuar nga BE-ja, për monitorimin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje.

Kjo rrjedhë e zhvillimeve e konfirmon në tërësi raportimin e Albanian Post të 18 shtatorit për sekuencializmin e procesit të normalizimit të raporteve, gjegjësisht ndarjen në tre faza – raportimi i parë ky ekskluziv për ekzistencën e propozimit franko-gjerman.

Me 18 shtator, Albanian Post pati raportuar që zhvillimet aktuale shihen si vijimësi e angazhimit të BE-së, në dialogun e nisur një dekadë më parë.

“2013, marrëveshja e parë për normalizimin e raporteve. 2023, marrëveshja e dytë për normalizimin e raporteve (pranimi faktik i pavarësisë së Kosovës kundrejt një akti formal të njohjes). 2033, marrëveshja e tretë për normalizimin e raporteve (njohja e ndërsjellë formale), pak para se gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor t’i bashkohen BE-së”.

Në raportimin e 18 shtatorit “Ekskluzive, ‘korniza e re’ në dialog: Marrëveshje përmbajtësore vitin e ardhshëm, finalja pas 10 vjetësh – Kosova fiton njohje nga 5-shja e BE’së, anëtarësim në organizata; Serbia përfiton ndihma masive”, thuhet se në vitin 2023 duhet të nënshkruhet marrëveshja e dytë për normalizim të marrëdhënieve, pas asaj të vitit 2013, me të cilën Serbia faktikisht e pranon realitetin e Kosovës shtet të pavarur, por nuk e njeh formalisht.

Në një fazë të mëvonshme, hipotetikisht pas 10 vitesh, atëherë kur BE-ja është e gatshme të zgjerohet dhe ta përfshijë Ballkanin perëndimor, arrihet marrëveshja për njohje të ndërsjellë, si parakusht i të dy shteteve për anëtarësim në BE.

Me marrëveshjen e vitit të ardhshëm (nëse pranohet propozimi) Kosovën e pranojnë edhe pesë shtetet që akoma nuk e kanë njohur të Bashkimit Evropian, kurse Serbia do të përfitojë një ndihmë financiare, asistencë ekonomike dhe do njihet si fuqia e rajonit.

Brenda propozimit ishin ishin sqaruar edhe fazat e integrimit të Kosovës në institucionet ndërkombëtare.

Faza e parë, thoshte dokumenti, është që “Kosova bëhet anëtare e Këshillit të Evropës”.

Faza e dytë “Anëtarësimi në Interpol dhe UNESCO”. “Faza e tretë, Fillimi i bisedimeve për pranim në NATO, aplikimi për anëtarësim në BE” dhe “Faza e katërt: Anëtarësimi në OKB”./ Albanian Post/