Lëvizjen e Sali Berishës të quajtur “Foltorja e PD-së”, ish- presidenti Bujar Nishani, nuk e përjashton si mundësi se vjen si pasojë e interesave personale të ish-kryeministrit, që erdhi fill pas përjashtimit nga grupi parlamentar i partisë, por shprehet i bindur se kjo do i shërbejë edhe PD-së. Në intervistën për Report Tv, Nishani tha se nga lëvizja e Berishës pret mes të tjerave një statut dhe një kryetar të ri të PD-së, jo Lulzim Bashën, pasi sipas tij, vetëm ky ridimensionim do e shpëtonte PD-në nga degradimi.  Ai tha se Lëvizja e Berishës është për ndryshim radikal, por me një lider të ri, duke hequr mundësinë e rikthimit të Berishës në krye të PD-së.

“Kjo është një kauzë e cila na është paraqitur prej kohësh në shqetësimin e mjaft anëtarëve të PD-së. Berisha ka një vokacion më të lartë për hir të pozicioneve që ka pasur në të shkuarën në strukturën e PD dhe impaktit që ka pasur në PD dhe në këtë kontekst, pavarësisht arsyeve që erdhi ky reagim, reagimi është i rëndësishëm duhet të prodhojë dhe të sjellë atë që unë besoj, një ndryshim radikal në PD, në disa dimensione, në konceptet e mënyrës si duhet të ndërtohet PD, tezat që duhet të ketë, në demokracinë e brendshme, një statut dhe një lidership të ri, pra një ndryshim nga 8 vitet e shkuara që çuara dëm dhe sot për sot si alternativa e vetme që duhet të jetë.

Nuk e përjashtoj që është nisur për interesa personale, por do i shërbejë PD! Është i dukshëm interesi publik, edhe nëse ekziston qeverisja perfektë, ajo duhet të ketë një opozitë përballë, jo më në rasti e Shqipërisë, që kemi një qeveri korruptive dhe pritet të bëhet më arrogante se ç’ishte në vitet e shkuara.  PD e ka humbur forcën, besueshmërinë e saj për të qenë alternativë qeverisëse, PD ose të shkojë drejt degradimit, ose të ridemensionohet. Unë jam për këtë të dytën. Prandaj mendoj se lëvizja e Berishës do i shërbejë PD në këtë dimension, por e shoh më tej, një PD më e madhe, më e hapur, e afërt me qytetarin, e sinqertë dhe jo hileqare, dinamike dhe jo e përgjumur, do i shërbej interesit publik. Ne kemi një gjeneratë të re që ka kapacitet intelektuale dhe përvojë politike për të marrë përgjegjësi”, tha Nishani.