Frrok Çupi

Ato u ulën ballë përballë; njëra zëdhënëse e Presidentit të Shqipërisë (tani non- grata në Amerikë) dhe tjetra përfaqësuese e Presidentit të Shteteve të Bashkuara, ambasadore në Shqipëri. Zonja shqiptare, gazetare moderatore në televizionin Euronews Albania, dukej sikur po vinte nga një vrapim, vrapim me detyrë për të pastruar fytyrën e bosit të saj president. Ndërsa tjetra po priste pyetjet, domethënë ‘sulmet’, sipas stilit sovjetik të medias përballë armikut.

1.

Armiku nuk mbahet afër, sipas ‘luftës së Ftohtë’…

-Unë dua të di kur do të ikësh nga vendi ynë, zonja ambasadore!- tha gazetarja.

-Nuk kam asnjë dëshirë që të largohem më parë nga Shqipëria- u përgjigj ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Tiranë.

– Si, nuk do të ikësh ‘më parë’? Kur më parë, para cilës ditë?

– Mandatit tim…- tha përfaqësuesja amerikane.

Palës së bosit i ranë krahët. Jo vetëm pse sipas një fantazie, Yuri Kim (Kimete, sipas tyre) do të largohet menjëherë, por më e keqja është kjo: Ra alibia e përhapur nga presidenti Berisha se ‘pengesa ime Kimete largohet shpejt… Kam folur diku me miqtë e mi’. Fantazia u kishte dhënë krahë mbështetësve të presidentit, ndërsa pas kësaj që ndodhi ai nuk mbledh dot as aq njerëz sa më parë; ata tashmë e morën vesh se ‘presidenti ia fut kot, plako!’, nuk janë fare budallenj… Ç’deshi shqiptarja që i drejtoi atë pyetje? Apo ia kishin dhënë qëkur e nisën?!

2.

‘Po nuk të desha ty, atëherë rrëzoj edhe vendin tim ku po qëndron ti!’.

Ky është një tragjizëm që në doket shqiptare është treguar si ‘një e keqe, por që ndodh’… Sa të jenë amerikanët këtu, Shqipëria është vend i keq!- këtë ka trumbetuar presidenti Berisha pa pushim. ‘Narkoshtet!’, ‘narkopolici!’, ‘vasalë të serbit’, ‘të vdekur për bukë’, ‘makutë të korrupsionit’… Një njeri normal i Perëndimit sapo dëgjon këto, puna e parë- gris biletën e fluturimit drejt Rinasit…

-Do të ikësh zonja Kim- këmbënguli gazetarja shqiptare- por më thonë se ca ikin më mall e ca me urrejtje nga Shqipëria.

-Nuk njoh asnjë të huaj që ikën nga Shqipëria me urrejtje. Të gjithë miqtë e mi amerikanë kanë dashuri për këtë vend; edhe unë e dua shumë. Amerika e do Shqipërinë dhe shqiptarët; jemi partnerë shumë të mirë. Edhe perëndimorët e tjerë…

Gazetarja shqiptare hodhi përdhè ‘statujën e dytë’ të bosit president.

3.

Zoti është mizor…, këtë ide zgjoi gazetarja. Një jetë të tërë sa në bllok, sa në presidencë; Berisha kishte menduar se e kishte Lordin në xhep; herë e rrihte e herë e përkëdhelte dhe gjithnjë i thoshte “rri urtë, aty rri!’. Ishte tunduar nga djalli dhe e la veten në dorë të mëkatit. Ka kohë që fle në atë shtrat; por djallin e zgjoi gazetarja- skllave e tij.

Gazetarja pyet ambasadoren: ‘Kush ua dha faktet për Berishën, Soros a dikush nga këta këtu?.

Ambasadorja:

-Jo, absolutisht jo. Absolutisht… ky është një proces disavjeçar që përfshin shumë agjenci të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara. Nuk është vetëm Departamenti i Shtetit. Përfshihen agjenci si Departamenti i Thesarit, FBI, CIA.

Ambasadorja foli për herë të parë për këto agjenci. U tmerrua ajo përballë. CIA, FBI, Departamenti i Thesarit… Bosi që ndiqte intervistën që nga shtëpia, nuk e donte më veten; më mirë e kishte kaluar kohën me fantazi.

4.

Kjo e futi bosin në kujtimet e Amerikës. E pyeti përfaqësuesen amerikane ‘pse merreni me Berishën pas tetë vjet pa pushtet?’.

Yuri Kim, ambasadore:

“Më lejoni të mbaroj. Nëse e përdor autoritetin e postit për të shkelur ligjin, për të vjedhur nga vendi yt, dhe pastaj përdor forcën politike për të intimiduar të tjerët, për të mos lejuar ndjekje penale, ndjekjen e duhur penale, kjo nuk është më e pranueshme… Në botë janë 200 non- grata”, por ky del në krye.

Kështu tha ambasadorja; kush kishte mendje e mësoi të vërtetën. Zëdhënësja rrëzoi bosin e saj.

5.

Duhet te flas me gjykatësin… Me këtë ide kishte ardhur gazetarja ‘në vrapim’. Gjykatësi është në Francë.

-A do t’i dërgoni fakte francezit?…

-Nuk ndodh ashtu…

-Pra, a do të çoni prova në gjykatë në Paris apo në një gjykatë në Shqipëri apo…

-Sapo ju thashë, nuk shkon ashtu … Nuk do të komentoj për fantazi apo hipoteza. Më pëlqen të jetoj në një botë bazuar në fakte- tha ambasadorja.

Nga pozicioni ku ndodhej bosi u lëshuan sinjale përvëluese për Amerikën: ‘Kjo gazetare po flet me gjykatësin apo me vrasësin!?’

6.

Koment për 8 Janarin?…

Ambasadorja, gjatë gjithë bisedës u vërtit te kjo ngjarje:

Një herë tha se sulmi mbi PD i datës 8 janar skandalizoi Amerikën. ‘Jam kundër dhunës politike. Shtetet e Bashkuara është kundër dhunës politike… Shiko, mendoj se njerëzit u skandalizuan’. Më pas tha se Lulzim Basha është kryetari i zgjedhur i Partisë Demokratike. ‘Jo vetëm egërsirat, por ka edhe njerëz që duan të vrasin veten’.

Ndërsa komenti: Të gjithë duan të jetojnë përtej vdekjes, por është e pamundur.

7.

Dhe më në fund, bosi i verbër:

Nuk e di nëse gazetarja e dinte anekdotën amerikane me ‘bosin e verbër’. Por u bë sikur e mbylli programin televiziv duke tërhequr bosin përdore, ‘bosi doli i verbër’.

Anekdota:

Dikush e pyeti zotin se si ishte verbuar ai njeri; e verboi zoti apo prindërit?

-Jo, u përgjigj zoti; ai verboi veten. Verboi veten se donte të shijonte në verbëri mirësinë e zotit’. Por Amerika nuk ishte zoti i mirësisë. Gazetarja e ndihmoi verbimin e bosit.