Afrimi me dorëzimin e  pushtetit dhe privilegjeve në të gjitha instancat, po shfaq marrëzinë e fundit të pushtetmbajtësve.

Kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi, iu ka drejtuar një letër ambasadorëve të SHBA dhe BE në vendin tonë, lidhur me vendimin që duhet të marrë për dorëzimin e detyrës te pasardhësi socialist, i fitoi pa garë në zgjedhjet e 30 qershorit.

Ademi iu kërkon ndërkombëtarëve të ngrenë një komision administrativ evropian, si në vitet 1913-1914 dhe 1918-1920, pasi vetëm me një komision të tillë do të dorëzojë Bashkinë e Shkodrës te kryeministri Edi Rama.

“Sot, në 2019, nuk mund t’ia dorëzojmë atë as Kryeministrit e as të emëruarit të tij 8%. Në vitet 1913-1914 dhe 1918-’20, ky qytet me rendësi vitale për të gjithë kombin është qeverisur nga komisione ndërkombëtare të fuqive të mëdha. E ndoshta është prapë rasti, dhe jo vetëm për Shkodrën.

Ndaj ju drejtohem Ju, në emër të qytetarëve shkodranë, që ne jemi të gatshëm më parë të pranojmë një komision administrativ europian, besimplotë te vullneti i tyre demokratik derisa të shkohet në zgjedhje të vërteta, sesa të biem nën diktaturën e pakicës së pakicës votuese.

Për këtë, në emër të Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë, ju kërkoj publikisht të takohemi për të biseduar mbi këtë situatë të pazakontë, me shpresën që do të bëheni garant i vullnetit qytetar”, shkruan Ademi në letër.

VERITAS.COM.AL/