Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në Kavajë, ku një person ka mbetur i vrarë dhe një tjetër i plagosur.

Burime policore bëjnë me dije se ka ndodhur një konflikt i armatosur mes dy personave në banesën e një gruaje. Ka qenë ora rreth 00:45 e mëngjesit kur Dritan Haxholli, që më vonë mbeti viktimë, shkoi në banesën e ish të dashurës së tij. Gruaja MQ ka deklaruar se ai i kërkonte marrëdhënie seksuale, edhe pse ishin ndarë.

Në shtëpinë e zonjës M.Q., ndodhej edhe një polic burgjesh, Bledar Toçi, mik i gruas në fjalë. Dy burrat u konfliktuan me njëri-tjetrin dhe sherri degjeneroi në përdorimin e armëve.

Të dy qëlluan në drejtim të njëri-tjetrit me armë zjarri dhe nga të shtënat mbeti i vdekur ish i dashuri i gruas dhe u plagos polici i burgjeve. Ky i fundit u dërgua në spital për ndihmë mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut.

Sipas informacioneve policore, bëhet me dije se polici i burgjeve qëlloi me armën e shërbimit, kurse viktima kishte shkuar në banesën e ish të dashurës i armatosur me kallashnikov.

Të njëjtat burime sqarojnë se në banesën e gruas ndodheshin edhe dy fqinjë të saj. Gruaja me iniciale M.Q. kishte thirrur fqinjët dhe mikun e saj oficer të burgjeve, pasi ishte e frikësuar nga ish i dashuri. Ky i fundit nuk pranonte ndarjen dhe e telefononte vazhdimisht. Në vendngjarje shkoi grupi hetimor për të mbledhur prova dhe për të kryer veprime hetimore.

Informacioni paraprak i Policisë së Kavajës:

Rreth orës 00.40, në Lagjen nr. 2 Kavajë, shtetasi D. H., banues në Kavajë, ka hyrë në banesën e shtetases M. Q. Në banesë ndodhej dhe shtetasi B. T, banues në Kavajë, punonjës i Policisë së Burgjeve.

Shtetasi D.H. është konfliktuar me shtetasin B. T. dhe si pasojë shtetasi D.H ka qëlluar me armë në drejtim të shtetasit B.T duke e plagosur atë. Shtetasi B.T me armën e shërbimit ka qëlluar në drejtim të shtetasit D.H i cili ka ndërruar jetë në vendngjarje.

Shtetasi B.T, ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor po vijon punën për sqarimin e mëtejshëm të rrethanave të ngjarjes.

Veritas.com.al/

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.