Sot PD- LSI, opozitë jashtë- sistem, ka lëshuar armët e luftës, me të cilat kishte premtuar se nuk do të lironte zyrat dhe nuk do të lejonte të zgjedhurit që të hynin në zyrat e bashkive. Nuk dihet çfarë ka ndodhur, por sot nuk kishte luftë në ‘bashkitë e djathta, të zonës së Myzeqesë.

Sot është kryer konstituimi i Këshillave Bashkiakë të dalë nga zgjedhjet e 30 Qershorit. Ndryshe nga dita e djeshme sot nuk janë shënuar incidente ndërsa procesi u zhvillua normalisht në Lushnje dhe Kuçovë.

Në konstituimin e Këshillit Bashkiak të Lushnjës mori pjesë kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi si dhe deputetët e majtë Bashkim Fino dhe Tatjana Nurçe.

Këshilli Bashkiak në Lushnje ka gjithsej 41 këshilltarë nga të cilët 33 i përkasin Partisë Socialiste. Partia Demokracia Sociale do të ketë 2 këshilltarë, Partia Bindja Demokratike 1, Partia Aleanca për Demokraci dhe Solidaritet 1 dhe Partia Aleanca Arbnore Kombëtare 3.

Paralelisht me Lushnjën nisi kostituimi i Këshillit Bashkiak edhe në Kuçovë ku procesi vijoi normalisht.

Kujtojmë se gjatë ditës së djeshme konstituimi i Këshillave Bashkiakë në Devoll dhe Kavajë u shoqërua me protesta dhe incidente mes mbështetësve të opozitës dhe policisë së shtetit, ndërsa konstituimi i Këshillit Bashkiak të Tiranës dhe betimi i Erion Veliaj për një mandat të dytë u zhvillua në qetësi.

VERITAS.COM.AL/