Përfaqësuesi i Posaçëm i SHBA për Ballkanin Perëndimor, Mathew Palmer, ka zhvilluar një vizitë në Malin e Zi. Ai ka takuar, në shtetin fqinj të Shqipërisë, disa zyrtarë të lartë të vendit, përfshi presidentin Milo Gjukanoviç dhe Kryeministrin Dushko Markoviç. Palmer ka folur për zhvillimet në rajon me drejtuesit më të lartë të shtetit malazez, ndërsa fokusi kryesor i bisedimeve ka qenë anëtarësimi i vendeve të rajonit në Bashkimin Europian. Ndërkohë, në deklaratën për shtyp të shpërndarë nga Presidenti i Malit të Zi, është zbuluar edhe një nga objektivat kryesor të Palmer si përfaqësues i posaçëm i SHBA në Rajon.

Sipas deklartës së shpërndarë nga zyra e shtypit e Presidentit të Malit të Zi, mësohet se Mathew Palmer i ka konfirmuar Milo Gjukanoviç, se përparësi e tij në rajon, është mbështetja për hapjen e negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Europian. “Palmer shprehu kënaqësinë e tij për takimin, duke theksuar se nuk është rastësi që Mali i Zi është destinacioni i parë që viziton në fillim të mandatit të tij si përfaqësues i SHBA për Ballkanin Perëndimor. Ai informoi Presidentin (Milo Gjukanoviç) se përparësitë e misionit të tij janë: inkurajimi i hapjes së negociatave të pranimit në BE për Tiranën dhe Shkupin, kthimin e dialogut Beograd-Prishtinë dhe kërkimin e zgjidhjeve për funksionalitetin e Bosnje-Hercegovinës”, mësohet të ketë thënë Palmer.

Kjo deklaratë e Përfaqësuesit të Posaçëm të SHBA për Ballkanin Perëndimor, është inkurajuese për Shqipërinë, e cila pret çeljen e negociatave për anëtarësim me BE në muajin tetor. Në fakt, roli i SHBA në këtë proces po konfirmohet nga dita në ditë, aq sa pas takimit që Lulzim Basha pati me zyrtarin e DASH, David Kostelancik, ka nisur të lobojë për hapjen e negociatave për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Në fakt, roli i SHBA si ‘Partner Strategjik’ i Shqipërisë po konfirmohet nga dita në ditë, e cila tashmë duket më e angazhuar se kurrë për të mos lejuar vendin tonë të jetë preh e influencës ruse në rajon. Për këtë qëllim, pak ditë më parë, Drejtori i Zyrës për Europën Jugore dhe Qendrore në Departamentin Amerikan të Shtetit, David Kostelancik, zhvilloi një vizitë në Shqipëri, i cili kishte mision ‘influencën ruse’ në vendin tonë. /Realstory.al/

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.