(Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, gjatë një interviste televizive)

Nga ana tjetër, lideri historik i PD-së, Sali Berisha teksa u kërkoi falje demokratëve nga foltorja e Lezhës për mbështetjen që i ka dhënë beniaminit të tij, Basha, qartë tha se “lufta” ndaj Bashës vazhdon dhe se “më 11 dhjetor do të mblidhet Kuvendi Kombëtar”.

“Qëllimi”, theksoi ai, “do të jetë rrëzimi i vendimit të Bashës mbi përjashtimin e tij nga Grupi Parlamentar dhe mbajtja e zgjedhjeve të reja në PD”.

Lëvizja e radhës e Berishës, drejt rrugëtimit të Kuvendit, ishte dorëzimi i 4 mijë e 200 firmave, të cilat u “kyçën” në zyrën e kryetarit të Këshillit Kombëtar, Edi Paloka.

(Kryetari i Këshillit Kombëtar në Partinë Demokratike, Edi Paloka)

Fill pas kësaj, reagoi sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, duke shpjeguar se “procedura është dorëzimi i firmave në protokollin e PD-së, dhe pas kësaj bëhet thirrja për Kuvendin”.

Thirrja e Kuvendit për pushtet vetjak

Analisti dhe gazetari Frrok Çupi, për sa i përket situatës së krijuar nga ish-kreu i PD-së, për Albanian Post thotë se “deri ditën kur pa fundin e tij, Berisha deklaronte se ‘PD-ja e ka kryetarin e ligjshëm dhe se është parti evropiane’. Në momentin kur e pa veten në pus, atëherë u mundua për ta marrë pas vetes PD-në”’.

Të njëjtin mendim ndan edhe analisti dhe kreu i Unionit të Gazetarëve, Aleksandër Çipa, i cili shpjegon se “është një thirrje për të krijuar një status të ri politik dhe për të qenë, pse jo, me një ‘imunitet’ dhe rol të rëndësishëm politik në vend dhe në raport me partnerët”.

(Mos) triumfi i “foltores”
(Ish-kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha)

Analisti Çipa thotë se, nëse “foltorja” e Berishës fiton, do të krijohej një problem i madh në selinë blu.

“Nëse imponohet një skenë e tillë e përkohshme, ‘triumfatorët’ do të ndodhen para një kohe më të vështirë nga sa e kanë menduar. Ardhmëria e tyre nuk mund të ketë në horizont një lindje”.

Ndërsa, Çupi e cilëson për Albanian Post qëllimin e “foltores” se ishte të “zgjonte antiamerikanizmin”, dhe “jo që të shëndetësonte PD-në”.

Kryedemokrati, gjatë intervistës, parashtroi se “Berisha po e përdor PD-në, ose një pjesë të saj si mburojë ndaj SHBA-ve”.

Analisti Çupi thekson se tashmë amerikanët njohin “vetëm Bashën si kryetar” dhe se fitorja e Berishës nuk do të ndodhë, “sa kohë jemi në këtë glob e Shqipëria ndodhet në Evropë”.

Nga ana tjetër, Çipa, thotë se, “ardhmëria e PD me kryetar Berishën është një mundësi me horizont të zënë dhe me perëndim të pandalshëm”.

Sipas dy analistëve, “foltoret”  janë vetëm për interesa vetjake. Kjo, pasi për Çipën, “foltorja” mori rrugë prej vendimit amerikan, që shpallën Berishën non-grata.

Edhe lideri i demokratëve, deklaroi se vendimi i shpalljes së Berishës si persona non grata nga SHBA-të ka sjellë veprimet e tij për mbledhjen e Kuvendit dhe rrëzimin e tij si kryetar i PD-së.

“Në këtë akt dhe sidomos prej akuzave epitaforike, Berisha u kap pas Partisë dhe po gjen justifikime, të cilat i shet si arsye madhore për të rihyrë në një rrugë të re të politikëbërësit”, thotë Çipa.

(Moment gjatë foltoreve të organizuara nga ish-lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha)
Krijimi i një partie të re

“Kur nuk ka Berishë si faktor politik, si vallë mund të ketë një parti politike me emrin e Berishës?”.

I këtij mendimi është Çupi, nëse humbja e “foltoreve” do të sillte krijimin e një partie të re nga Berisha.

Jo vetëm krijimin, por dhe iniciativën për ta krijuar, “nuk ekziston”, pasi që prej përjashtimit nga Grupi Parlamentar i PD-së, ai “është çmontuar si politikan dhe si faktor politik”.

Ndër të tjera, edhe Çipa e përjashton mundësinë e një partie të re. Aksioni i Berishës, sipas tij, është për riokupim të PD-së.

“Iniciativa e Berishës është me një sfond dhe në kontekste të reja, të cilat e bëjnë edhe më të vjetruar edhe më të karikaturuar pretendimin apo misionin e tij për rikthim të pluralizmit e aq më tepër të demokracisë’, përmbyll analisti Çipa.

Data 11 dhjetor “do të vendosë” fatin e ndarjes Berisha-Basha, kur do të hapet edhe “kasaforta me firmëtarët”.

PD me Bashën, apo PD me Berishën?!