KOMENT/ Para dhe brenda sallës tashmë të rrënuar të Teatrit Kombëtar, ka disa orë që ka shpërthyer histeria e fundit. Disa aktorë, realisht më të dështuarit mes aktorëve tanë që nuk kanë ndritur, kanë rrethuar selinë, ose kanë hyrë brenda në sallën tashmë të shkatërruar dhe po recitojnë me pasionin histerik të teatrit mesjetar.

Atyre u thotë mendja se do të ndalojnë  ndërtimin e Teatrit të ri dhe vetë modernizimin e vendit, ose në fakt e dinë se nuk mund ta ndalojnë. Por kanë gjetur rastin të vijnë për herë të fundit në rrënojat e Teatrit të vjetër dhe të deklamojnë vjershat që kanë mësuar, të identifikohen edhe një herë si aktorë. Disa prej tyre ishin projektuar si politikanë të klasit të parë, por dolën spiunë të Sigurimit të Shtetit dhe u tërhoqën. Të paktën këta janë aq të ndershëm saqë tërhiqen para turpit se kanë qenë spiunë, ndërsa të tjerët nuk tërhiqen, ndodhen përsëri në politikë.

Por sidoqoftë sot u mblodhën ‘ të gjithë’  rreth Teatrit për të mos lejuar ndërtimin e ri. Kur themi ‘të gjithë’ po flasim për katër a pesë, të cilët kanë kohë që nuk kanë mundur të luajnë asnjë rol në Teatrin Kombëtar. Ndërsa artistët e njohur si ikonë të Teatrit shqiptar, që nga Drita Haxhiraj, Bert Ndrenika, Rajmonda Bulku, Ndricim Xhepa, Ema Andrea, Luftar Paja, Altin Basha, Reshat Arbana, Artan Imami, Trebicka, Derhemi, Kanxheri, Kulla, etj, ndodhen në frontin e kërkesave që të lejohet vendi për të pasur një Teatër të ri. Kush është më pa vlerë ata kanë ardhur për të ndaluar shtetin dhe shoqërinë që të bëjnë hapa drejt përparimit- kjo është çudia.

Por edhe për këtë e ka fajin vetë Teatri.

Teatri, dekadat e fundit nuk ka mundur të ndërtojë të tillë repertor dhe kualitet saqë njerëzit të kishin ardhur me shumicë në shfaqjet e veta. As vetë Presidenti i republikës nuk ka qenë kurrë në Teatër, e jo më të tjerë. Njerëzit që kurrë nuk kanë hyrë në Teatër janë mbledhur sot në paditurinë e tyre për të bërë zhurmë para Teatrit. Ky është faj i vetë Teatrit

Teatri ka fajin se ishte aq primitiv e i ngushtë saqë nuk kishte vend edhe për aktorë të shkallës së tretë e të katërt, që t’i mblidhte brenda e t’i mbante urtë. Sot këta e ndjejnë veten mbretër të Teatrit sepse kanë mbetur të vetmit pronarë, artistët e vërtetë kanë ikur, janë arratisur prej shkallës së tretë e të katërt.

Teatri e ka fajin që nuk iu dha hapësirë këtyre njerëzve për të shfryrë talentin’ e  recitimeve dhe të thirrjeve frenetike gati histerike. Njëri prej tyre recitoi edhe për jetën e babait të tij, pasi kishte recituar të gjitha vjershat e Rilindjes dhe të periudhës së Otomanisë. Këtë duhej ta kishte bërë që në vogëli e të mos turpërohej burrë.

Tetari i ka fajet, vetë Teatri, i cili nuk ishte ai që duhej të ishte.

VERITAS.COM.AL/