Për Shtetet e Bashkuara është zhgënjyes fakti që Këshilli Europian nuk mundi të hapë negociatat e anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Këtë qëndrim të Uashingtonit e bëri të qartë ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit Philip Reeker, në një intervistë për Radion Europa e Lirë.

“Ne u zhgënjyem. Sekretari Pompeo këtë e bëri të qartë, që Këshilli nuk mundi të ecë përpara me nisjen e negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Perspektiva europiane, ideja që njerëzit e këtyre vendeve duan të bëhen pjesë e Bashkimit Europian ka qenë përbërës kyç i politikës tonë të jashtme”.

Madje Reeker i konsideron të prapambetur në mentalitet ata liderë europianë që nuk pranuan hapjen e negociatave.

“Ne nuk jemi anëtarë të Bashkimit Europian, por e kemi mbështetur këtë ide. Ndaj dhe programet tona të ndihmës, diplomacia jonë kanë mbështetur reformat që këto vende kanë ndërmarrë për të ecur përpara në këtë drejtim. Besojmë se kjo është në interesin më të mirë të vendeve të rajonit por edhe të Europës. Ndaj është zhgënjyese të shohim disa liderë me pikëpamje të shekullit të XIX për rajonin e Ballkanit Perëndimor”.

Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit ndodhet në Pragë, ku merr pjesë në një forum për politikat europiane dhe NATO-n.

Veritas.com.al/