(FOTO: Nick Muzin, lobist i Bashes)/

-Dërguan dosjen e Bashës në gjykatë pa firmën e kolegut të tyre-

 

Dosja hetimore në ngarkim të Lulzim Bashës dhe dy zyrtarëve të lartë të PD-së do t’i nënshtrohet një verifikimi të hollësishëm nga Prokuroria e Tiranës.

Burime zyrtare nga organi i akuzës i thanë Televizionit Klan se nën verifikim do të jetë procedura e ndjekur nga dy prokurorët Gjergji Tako dhe Ervin Karanxha, që e kanë mbyllur dosjen pa miratimin e kolegut të tyre Kol Hysenaj.

Të tre prokurorët kanë qenë pjesë e grupit hetimor të ngritur me urdhër të Kryeprokurores së Tiranës, Elisabeta Ymeraj.

Zyrtarë të Prokurorisë, thanë se dosja nuk mund të dërgohej për në gjykatë pa firmën dhe dijeninë e prokurorit të tretë të çështjes.

Televizioni Klan mëson se prokurori Kol Hysenaj nuk ka qenë dakord me mbylljen e hetimeve dhe ka kërkuar shtyrjen e tyre, deri në marrjen në pyetje të shtetasit amerikan Nik Muzin, i cili dyshohet se ka marrë 650 mijë dollarë nga kompania me lidhje ruse, Biniata Trade, për llogari të Partisë Demokratike, për të lobuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Pa dëshminë e Muzin, i konsideruar si person kyç në këtë çështje, hetimi është konsideruar i paplotë nga prokurori Hysenaj.

Nik Muzin pritet të merret në pyetje në Shtetet e Bashkuara për llogari të hetimit. Autoritetet amerikane u kanë kërkuar prokurorëve shqiptarë që të bëjnë të qartë nëse statusi i Muzin është si dëshmitar apo objekt i mundshëm i hetimit dhe nëse ai ka apo jo të drejtë të refuzojë të dëshmojë sipas ligjit shqiptar.

Kryeprokurorja e Tiranës, Elisabeta Ymeraj deklaroi një ditë më parë se prokurorët Tako dhe Karanxha kanë vendosur apriori dhe kanë marrë iniciativë të vetëshpallen prokurorë të çështjes, duke përjashtuar prokurorin Hysenaj.

Ajo tha se dosja nuk është dërguar ende në gjykatë dhe madje nuk është qepur ende. Televizioni Klan mëson se dosja gjendet në zyrën e protokollit të Prokurorisë së Tiranës, me kërkesën e Takos e Karanxhës për ta dërguar në Gjykatë.

Ymeraj ka sqaruar se për arsye shëndetësore nuk ka qenë në punë, por pritet që me kthimin e saj në zyrë të hënën, të nisë edhe verifikimi i veprimeve të dy prokurorëve Tako e Karanxha.

Këta të fundit e dërguan Lulzim Bashën, Arben Ristanin dhe Ilir Dervishin në gjykatë nën akuzën për falsifikim të dokumenteve zyrtare dhe rrëzuan akuzën për pastrim parash.

Fati i dosjes mbetet i paqartë, pasi nuk dihet nëse prokuroria e Tiranës mund ta bllokojë atë nëse do të konstatojë shkelje, apo do ta dërgojë në gjykatë dhe do të jetë gjykata ajo që do të vlerësojë nëse dy prokurorët kanë shkelur procedurën dhe nëse dosja ka nevojë për veprime të tjera hetimore.

VERITAS.COM.AL/