Pas nënshkrimit të memorandumit të bashkëpunimit për realizimin e projektit “Durrës Yachts & Marina” për ndërtimin e Portit të Durrësit, kryeministri Edi Rama ka publikuar sot pamjet 3D të projektit. Përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook, Rama shkruan se dje u hodh një hap vendimtar që tashmë do t’i hapë rrugë ndërtimit të portit turistik më të madh në Mesdhe.

Rama thotë se ky investim nuk do të realizohej dot pa mbështetjen e Presidentit të Emirateve të Bashkuara, Sheikh Muhammed Bin Zayed.

“Mirëmëngjesi dhe me kënaqësinë e hedhjes së një hapi vendimtar dje, me nënshkrimin e Memorandumit të Bashkëpunimit, që hap rrugën drejt procedurës parlamentare për kontratën historike për ndërtimin e portit më të madh turistik të Mesdheut në Durrës, falë një investimi prej mbi 2MLD USD, me mbështetjen e drejtpërdrejtë të Presidentit të Emirateve të Bashkuara, Sheikh Muhammed Bin Zayed, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.

Memorandumi i bashkëpunimit për ndërtimin e Portit të Durrësit u nenshkrua nje dite me pare në praninë e kryeministrit Edi Rama dhe zhvilluesit me famë botërore Muhammed El Alabbar. Investimi për ndërtimin e këtij porti është 2 miliard dollarë, ndërsa Rama tha se do të sjellë një zhvillim ekonomik e turistik jo vetëm për zonën e Durrësit, por për të gjithë vendin. Investitori e zhvilluesi Muhammed El Alabbar garantoi se investimi do jetë me përmasa madhështore.

Projekti i ri do të transformojë atë në një port model, me potenciale dhe kapacitete në Ballkanin Perëndimor. Në projekt përfshihet edhe ndërtimi i Portit të Thatë që do sjellë ndërtimin e hekurudhës që lidh Durrësin me Prishtinën, i cili është parashikuar të ketë një terminal, ku do përpunohen 100 mijë kontejner deri në 2050.

Impakti i investimit të portit turistik të Durrësit që kryhet nga kompania që ndërtoi Portin e Dubait dhe ka autorësinë e ndërtimeve më spektakolare në Emiratet e Bashkuara e në plot vende të botës, do të ndryshojë thelbësisht ekonominë e qarkut të Durrësit, si edhe do të krijojë një efekt ekonomik zinxhir në krejt bregdetin shqiptar, ku ka nisur ndërtimi i portit të ri turistik të Sarandës, do të nisë deri në qershor ndërtimi i portit të ri turistik të Vlorës dhe sipas Planit 2021-2025 do të nisë brenda vitit 2023 ndërtimi i portit të ri turistik të Shëngjinit.