Presidenti i Republikës Ilir Meta i pranishëm në analizën vjetore të Kontrollit të Lartë të Shtetit për vitin 2017 në universitetin  “Aleksandër Moisu” në Durrës, ka reaguar në lidhje me situatën e universiteteve në vendin tonë dhe problematikat me arsimin e lartë.

Duke folur gjatë analizës vjetore të KLSH-së, Presidenti Meta është shprehur se problemet e arsimit të lartë i takojnë të gjithë shoqërisë dhe se nevojitet një reflektim pozitiv, larg komunikimit arrogant, për të konsoliduar reformat.

”Të gjithë duhet të jemi më të vëmendshëm ndaj universiteteve! Duhet të jemi edhe më mbështetës, pasi problemet e arsimit të lartë nuk u takojnë vetëm universiteteve, qeverisë apo institucioneve, por i takojnë të gjithë shoqërisë. Dhe ne e dimë se arsimi i lartë ndeshet ende me sfida mjaft të vështira. Njëkohësisht edhe me vështirësi dhe sfida për zbatimin e ligjit të arsimit të lartë, por jam i bindur që të gjitha këto zgjidhen përmes një reflektimi vetëm pozitiv nga të gjithë aktorët, larg çdo komunikimi arrogant, i cili nuk na ndihmon për t’i konsoliduar reformat dhe për të përmirësuar impaktin e tyre në shoqëri, aq më tepër te të rinjtë dhe te fëmijët tanë”, – tha Presidenti Meta, duke theksuar se standardet e autonomisë universitare e lirive akademike janë jetike për demokracinë.

Qëndrimi i kreut të shtetit vjen në kohën kur mes stafeve akademike të universiteteve shtetërore dhe qeverisë ka pasur replika dhe debate lidhur me zbatimin e reformës në arsimin e lartë. Një ditë më parë, kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me senatin e Universitetit të Tiranës, ku nuk munguan debatet dhe tonet e larta mes të pranishmëve.

“Dua të shpreh bindjen time që respektimi i autonomisë universitare dhe lirive akademike është një standard i rëndësishëm për demokracinë e një vendi që dëshiron të jetë anëtar i barabartë me gjithë vendet e tjera në Bashkimin Evropian”, – deklaroi ndër të tjera Presidenti i Republikës gjatë fjalë së tij.

Duke folur në analizën vjetore të KLSH, Presidenti tha se duhet përmirësim të trupës audituese të këtij institucioni, referuar dhe ndryshimeve të legjislacionit.

“Gjithashtu një moment tjetër i rëndësishëm për një shërbim të besueshëm është përmirësimi i vazhdueshëm i trupës audituese. Është e vërtetë që ajo certifikohet si e tillë pas një programi trajnimi dhe testimi profesional, por ky trajnim duhet të jetë i vazhdueshëm dhe t’i përgjigjet kërkesave të kohës. Legjislacioni dhe aktet nënligjore janë të ndryshueshme, dhe normalisht që interpretimi mbi zbatimin e tyre bëhet i vështirë pasi audituesi do të duhet t’i referohet bazës ligjore”, tha Presidenti Meta.

Shtyllat kryesore mbi të cilat do të vazhdojë të mbështetet janë pavarësia dhe profesionalizmi. Për kreun e shtetit, është domosdoshmëri rikthimi i besimit tek institucionet publike dhe vendimmarrjen e tyre.

Veritas.com.al/