Partia Socialiste e Shqipërisë ka punësuar kompaninë e lobimit Ballard Partners me bazë në Florida-kompani e cila njihet për lidhjet me presidentin amerikan, Donald Trump.

Të dhënat e siguruara nga BIRN në Departamentin Amerikan të Drejtësisë tregojnë se kontrata është firmosur më 13 prill 2017 nga kryefinancierja e PS, Dhurata Isufaj dhe presidenti i Ballard Partners, Brian Ballard.

 

“I regjistruari do të sigurojë shërbime avokatie lidhur me marrëdhëniet dypalëshe mes SHBA-së dhe Shqipërisë,” thuhet në deklaratën e regjistrimit të kompanisë në Departamentin Amerikan të Drejtësisë.

“Aktiviteti do të përfshijë informimin, këshillimin dhe ndihmën e kontraktuesit të huaj në komunikimin me zyrtarët e qeverisë amerikane,” shtohet aty.

Ballard Partners është një kompani e njohur me bazë në Florida, e cila ka tërhequr vëmendjen e medias amerikane për shkak se presidenti i saj, Brian Ballard njihet si një ndër mbledhësit kryesorë të fondeve për fushatën presidenciale të Trump në shtetin e Floridas.

Sipas revistës “Politico”, Ballard Partners hapi zyrën e vet të lobimit në Uashington pas fitores së Trump dhe firmosi kontratën e parë të lobimit me Republikën Domenikane për 900 mijë dollarë në total.

Partia Socialiste e Shqipërisë është klienti i dytë i huaj për Ballard Partners. Në deklaratën e dorëzuar në Departamentin e Drejtësisë, kompania e lobimit nuk ka përfshirë kontratën dhe vlerën e saj, por një artikull i gazetës me qendër në Uashington “The Hill” zbulon se Partia Socialiste do të paguajë 20 mijë dollarë në muaj për një vit radhazi.