(FOTO: Ambasadorja e SHBA, Yuri Kim në ceremoninë e dorëzimit të pajisjes)/

Nga sot policia shqiptare ka në pajisjet e saj edhe makinat e së vërtetës ose ndryshe poligrafët. Në Ministrinë e Brendshme janë certifikuar sot 5 poligrafët e parë të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat që do të marrë në testim edhe kandidatët për Byronë Kombëtare të Hetimit, BKH, ose ndryshe FBI-ja shqiptare.

Në aktivitet ka marrë pjesë edhe ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Yuri Kim, e cila tha se këta ekspertë të poligrafit janë një tjetër armë në arsenalin e Shqipërisë për të luftuar korrupsionin.

“Jam shumë e kënaqur për të certifikuar suksesin e 5 studentëve. Instruktorja e tyre ka vlerësuar në mënyrë të përsëritur përkushtimin e tyre dhe disiplinën.

Është një moment i rëndësishëm në jetën e të diplomuarve por edhe një moment i rëndësishëm në jetën e Shqipërisë. Shqipëria ka ligjin e ri, ligjin e SPAK që kërkon që të gjithë punonjësit e BKH t’i nënshtrohen poligrafit. Këta ekzaminues dhe pajisja e dhuruar nga SHBA do sigurojnë aftësinë për tu zbatuar sipas ligjit të ri të SPAK.

Ata janë një tjetër armë në arsenalin e Shqipërisë për të luftuar korrupsionin, një tjetër mundësi për të forcuar shtetin ligjor.

Jemi këtu për të përuruar edhe njësinë e poligrafit në SHÇBA. Kjo njësi do fillojë të kryejë kontrollin e kandidatëve për drejtimin e BKH”, deklaroi ambasadorja Kim.

Ajo theksoi se SHBA do vazhdojë të asistojnë në këtë detyrë dhe funksione të tjera vendimtare gjatë vitit të ardhshëm. “SHBA-të qëndrojnë me qeverinë shqiptare për të larguar korrupsionin nga sistemi i drejtësisë penale. Dua t’iu them të diplomuarve ‘unë besoj tek ju’ dhe dua t’i them popullit shqiptar ‘unë besoj tek ju’”, tha Kim.

Veritas.com.al/