Në rubrikën “Përgjigjja ime”, duke iu përgjigjur komentit të një qytetareje që tha se ndjehet keq pas intervistës së kreut të PD-së Lulzim Basha transmetuar në emisionin në Rai Uno “Porta a Porta”, Rama tha se shtëpia nuk është skenë për të shfaqur në lagje sherret e brendshme.

“E dashur Laura është e vështirë të gjesh fjalët për fjalët në gjuhë të huaj të atij që quhet kryetar i opozitës por që fatkeqësisht nuk është as lideri, as kujdestari e as përfaqësuesi i saj. I asaj opozite që gjendet në popull, ku mes njerëzve të zakonshëm si ti, i atyre njerëzve që janë në të drejtën e tyre më legjitime kur nuk e pëlqejnë, nuk e duan, nuk e votojnë partinë e madhe të shumicës. Ata njerëz janë kudo, nga Veriu në Jug, në çdo kategori sociale dhe interesi, çdo moshë, e çdo feje, mes tyre ka patjetër nga ata që janë po aq qorra, po aq të pandjeshëm, po aq vulgarë sa dhe arratiakët nga parlamenti por s’ka pikë dyshimi se shumica jo. Shumica s’janë si ata dhe s’e duan baltosjen dhe ziftosjen e Shqipërisë në gjuhë të huaj. Përkundrazi e vuajnë sinqerisht dhe e dënojnë moralisht një qasje të atillë prej humbësash pa pikë dinjiteti që janë gati t’i lënë Shqipërisë faturën e dëshpërimit të tyre për pushtetin e humbur”, tha Rama.

Ai risolli në vëmendje një rregull gjerman dhe theksoi se Atdheu po ashtu është një shtëpi që nuk mund të nxirret dhe nxihet rrugëve të botës.

“Gjermanët por jo vetëm ata kanë një rregull të pashkruar të cilin kur shkojnë jashtë shtetit e respektojnë si të ishte një parim i shenjtë, asnjë fjalë me të huajt për konfliktet e brendshme politike. Lëre pastaj fjalë kundër njeri-tjetrit. Sepse shtëpia nuk është skenë për të shfaqur në sytë e tërë lagjes mosmarrëveshjet dhe sherret e brendshme. Atdheu po ashtu është një shtëpi që nuk mund të nxirret dhe nxihet rrugëve të botës pasi jo për gjë por bota s’ka as ngenë e as përgjegjësinë të na i rregullojë punët që s’na shkojnë mirë. madje kjo lloj derdhje e tenxhereve dhe hapje e kapakëve të barkut të shtëpisë sonë nëpër rrugët e botës u vete për shtat vetëm atyre që s’ia duan të mirën Shqipërisë dhe askujt tjetër dhe s’ka pak të tillë. Por dhe më keq se kaq. Prodhimi i brendshëm i lajmeve të këqija për eksport që nga shfaqjet e dhunës deri tek artikujt e paguar apo intervistat e shfazuara si ajo e Lulzim Bashës në rastin që përmend ti, përveçse e karikaturizojnë Shqipërinë e sotme dhe e bëjnë qesharak figurën e politikanit shqiptar në sytë e botës, godasin shtëpinë tonë. E bëjnë të duket Shqipërinë si atë shtëpinë e fshatit ku ke frikë të afrohesh se ke dëgjuar që ka një qen që kafshon. Që do të thotë godasin një burim të pazëvendësueshëm të ekonomisë sonë, vizitorin e huaj, turistin e huaj, sipërmarrësin e huaj. Jo vetëm kaq! Ky lloj eksporti i baltës dhe i ziftit shqiptar përmes kanaleve të huaja godet edhe shqiptarët që jetojnë e punojnë nëpër botë. U ul kokën në sytë e të tjerëve dhe ua komplikon jetën sepse rizgjon tek të tjerët frikërat dhe paragjykime e së shkuarës kur shqiptarët shiheshin padrejtësisht si djalli vetë”, theksoi kryeministri.

Rama tregoi dhe dy gjërat që i kishte kërkuar Bashës në marrëveshjen parazgjedhore 2017. “Kur nënshkruam me Lulzim Bashën marrëveshjen parazgjedhore të 2017-ës, unë i dhashë atij gjithçka çfarë kërkoi dhe i kërkova vetëm dy gjëra, rezultati nuk kontestohet dhe Shqipëria nuk shahet në gjuhë të huaj. Por u desh një sezon veror që të dyja këto pika të avullonin dhe avazi i vjetër të fillonte pak e nga pak për të arritur kulmin tani së fundmi. Kontestohet një fitore e thellë dhe e pastër e PS-së sepse një tjetër humbje e thellë dhe e pastër po afron për PD-në dhe simotrën e saj LSI, e cila është në fakt prurësja e mishëruesja e mirënjohur e fenomenit të shitblerjes së votës. Po të mos kishte LSI s’do kishte as shitblerje serioze vote në Shqipëri dhe këtë e dinë edhe zogjtë në male, edhe mineralet në Verilindje, edhe peshqit në laguna, edhe gurët në kanionene, edhe 1001 dritaret në Berat, edhe 21 oxhaqet në Elbasan, edhe luanët dhe bibat në Tiranë”, tha Rama.

Rama thotë se dhuna nuk e ndryshon qeverinë, por e bën më të fortë.

“Akuzojnë dhe shajnë çdo ditë më libër shtëpie me shqipen e tyre me 100 mijë fjalë. Harrojnë atë që kanë harruar gjithnjë, shqiptarët nuk janë budallenj dhe kush i ka marrë për të tillë e kanë paguar gjithnjë shtrenjtë qysh se ata kanë fituar të drejtën e votës. Akuzat dhe sharjet së fundmi u janë shtuar edhe kërcënimet që nxisin dhunën dhe turpërojnë ata që i bëjnë. Dhuna nuk e ndryshon dot rrjedhën e përcaktuar nga populli me votë, nuk e ndryshon qeverinë, por e forcon. Dhuna dëmton imazhin e Shqipërisë. Dhe godet ekonominë. Dobëson familjet që jetojnë me punë. Dhuna dëmton imazhin e Shqipërisë.

Punonjësit bashkiakë të opozitës po e mbyllin pa nder mandatin duke kyçur dyert. Tani me ato rroga paguhen turistët e opozitarizmit të rrugës. Më vjen sinqerisht keq sepse nuk është e këndshme që të dëgjosh të huajt të çuditur që pyesin se si ka mundësi që opozita juaj përçmon atdheun e vet teksa dëgjon Lulzim Bashën kur flet ‘il problemo, il problemo’. Por jam edhe i shqetësuar sepse opozita po sillet si mbyturi që të mbyt dhe nuk është qeveria ajo mbytet në këtë dalldi dëshpërimi. Por mbytet Shqipëria në sytë e çdo të huaji. Çdo shqiptar i mirë si ti që nuk e do këtë qeveri le të mos harrojë se kur i bashkohet turistëve të opozitarizmit rrugor nuk e bën Shqipërinë më të mirë, por Shqipërinë më keq”- tha Rama.

Veritas.com.al

PERGJIGJA IME

Publiée par Edi Rama sur Jeudi 7 mars 2019