Presidenti i Turqisë, Reccep Tayyip Erdogan, pas mbërritjes në Shqipëri, mëngjesin e 17 janarit, ka marrë pjesë në ceremoninë e shpërndarjes së çelësave të banesave në Kurbin, të rindërtuara pas tërmetit të 26 nëntorit 2019 që tronditi vendin.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka cilësuar këtë ditë si “të veçantë”. Për Ramën, Erdogan është një “mik i çmuar, jo vetëm i shqiptarëve, por edhe i imi”.

Numri një i Qeverisë shqiptare u kthye pas në kohë, në takimin e parë me presidentit turk, duke u shprehur se dikur ai i kishte thënë “Shqipëria dhe Kosova janë në zemrën time”.

“Jam krenar që mund ta quaj veten mikun e tij”, deklaroi Rama. Për të, Erdogan e mban fjalën gjithmonë.

“Kuptimi që ai i jep me vrap fjalës ‘vëllazëri’ është mishërimi i asaj që thotë Profeti Muhamed: Asnjë nga ju nuk beson nëse nuk dëshiron për vëllanë e vet të njëjtën gjë që dëshiron për veten e vet”, finalizoi Rama fjalën e tij.

Ceremonia u hap me fjalën e kryetares së Bashkisë së Kurbinit, Majlinda Cara, e cila u shpreh e lumtur dhe mirënjohëse karshi Qeverisë turke, e cila ka investuar në kompleksin rezidencial, pas dëmtimeve që la tërmeti në këtë qytet.

Fjalën pas saj e mori ministri i Mjedisit dhe Urbanizmit në Turqi, Murat Kurum. Ai ka vlerësuar marrëdhëniet e ngushta mes Turqisë dhe Shqipërisë.

“Ka pasur një bashkëpunim të shkëlqyer të kompanive shqiptare të angazhuara në ndërtimin e kësaj lagjeje, me kompaninë turke, që dua t’i falënderoj për profesionalizmin”, tha Kurum.

Nga ana tjetër, kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla tregoi një histori personale të kryebashkiakes së Kurbinit, e cila humbi banesën e saj nga tërmeti.

Në tërësi, do të jenë 524 apartamente të reja, në dispozicion të familjeve të dëmtuara nga tërmeti. Njësi shërbimi do të jenë 37 ndërsa është menduar edhe për vendparkimet nëntokësore me 375 të tillë.

E gjithë zona do të gëzojë një infrastrukturë bashkëkohore me një shkollë, qendër tregtare dhe standarde urbane të cilësisë së parë.

Ndërsa, në orën 15:00, do të ketë një konferencë për mediat, kjo pas nënshkrimit të disa marrëveshjeve mes dy palëve.

Bëhet fjalë për shtatë marrëveshjet, të cilat priten të firmosen ditën e sotme.

E para ka të bëjë me një marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Agjencisë Anadolu dhe Agjencisë Telegrafike Shqiptare.

E dyta mësohet se do të jetë një memorandum mirëkuptimi për bashkëpunimin në fushën e trajnimeve për zbatimin e ligjit ndërmjet qeverisë së Turqisë dhe Shqipërisë.

Pritet të ketë edhe një protokoll bashkëpunimi ndërmjet Drejtorisë së Arkivit Shtetërore Turqisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivit.

Nuk do të mungojnë as një memorandum mirëkuptimi për Bashkëpunimin në Fushën e Rinis dhe Sporteve ndërmjet ministrisë se Turqisë dhe asaj shqiptare.

Pas këtyre marrëveshjeve, Erdogan do të marrë pjesë dhe në ceremoninë e inaugurimit të xhamisë së Et’hem Beut në kryeqytet.

Ndërsa siç është bërë publike më herët, në orën 17:00, Erdogan do të ngjitet dhe në foltoren e Kuvendit të Shqipërisë, nga ku do mbajë një fjalim përshëndetës.

Presidenti turk ka shprehur vendosmërinë për mbështetjen ndaj Shqipërisë, në zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh dhe të partneritetit strategjik midis dy vendeve.  /Albanianpost/