Koment nga Laert Skiro/

Kryeministri Rama ka përdorur gjuhën e alegorizmës për të treguar pozicionin e presidentit Ilir Meta në raport me PS dhe me kryeministrin. Ata ishin bashkëpunëtorë të ngushtë në një qeverisje 4- vjeçare, por pastaj armiq të ashpër në një gjysmë mandat të qeverisë Rama.

Tashmë presidenti Meta, për inat të Ramës, është kthyer familjarisht në opozitë- i vetmi rast kur në botën e qytetëruar kur presidenti i një republike parlamentare vihet fort në opozitë kundër qeverisë së votuar në Parlament.

Kryeministri Rama ndodhet sot në Skrapar, në kuadër të fushatës elektorale, ku po prezanton kandidatin Socialist për Bashkinë e Skraparit. Kjo është zona ‘tampon’ e Ilir Metës, ose enklavë e LSI, nga ku kanë dalë dhjetra deputetë e ministra e drejtorë e liderë partie, njësoj si të ishte rajoni i Moskës.

Por tani as LSI dhe as PD nuk kandidojnë më në Skrapar. Majtistët që ishin hallakatur në LSI dhe te influencat e Sulo Gradecit, tani po përqëndrohen rreth PS dhe do të votojnë me siguri qind për qind për kandidatin e ofruar nga Rama.

Por Edi Rama, me rastin e vizitës në Skrapar përdori gjuhën ‘e Ezopit’ duke iu thënë skraparllinjve se ‘e falënderon’ Metën, por duke i thnën Metës se ‘nuk kam më nevojë për ty’.

Rama foli para skraparllinjve me një pamje nga kanionet e Osumit që ata e kanë shumë për zemër:

“Ia di për nder Ilir Metës që më ka sjellë dhe më ka treguar mrekullinë e kanioneve, nuk e kisha parë ndonjëherë. E di shumë mirë çfarë potenciali ka kjo zonë, e di se sa strategjike është edhe rruga Berat-Përmet e cila duhet të përfundojë sa më parë, që të bëhet lidhja e kësaj zone, Skraparit me Përmentin, Gjirokastën e Tepelënën për të kthyer potiencialin në funksion të turizmit dhe punësimit. Këto rrugë do jenë prioritete të Bashkisë së Çorovodës në 4 vjeçarin e ardhshëm”,- tha Rama.

Fjalën e tij përpara banorëve të Çorovodës, Rama e ka mbyllur sërish me Metën. Ai thotë se tani që Presidenti i mësoi të bënte rafting, e bën një gjë të tillë pa shoqërues.

‘Më vjen shumë mirë që bashkë me Ilirin kam bërë rafting në kanione. Por tani kam mësuar, e bëj edhe pa shoqërues”.

VERITAS.COM.AL/