TIRANË – Viti akademik 2019-2020 do të mbyllet, pa mundur që nxënësit dhe studentët të rikthehen në ambientet e shkollave për shkak të koronavirusit.

Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Arsimit, Besa Shahini gjatë një komunikimi online.

Shkollat dhe Universitetet në Shqipëri do të rihapen në shtator ndërsa prej datës 9 mars të këtij viti vijojnë të jenë të mbyllura për shkak të situatë së shkaktuar nga pandemia botërore, Covid-19.

“Ashtu siç ju kam premtuar dua t’ju njoftoj sot për vendimin që kemi marrë, për mbylljen e vitit shkollor. Kemi vendosur që shkollën ta hapim vetëm për maturantët  për disa javë”. tha më tej Shahini.

Hapen për tre javë shkollat, vetëm për maturantët të cilët duhet të përgatiten për provimet.

Ministrja e Arsimit Besa Shahini, në një komunikim publik të mbrëmjes së sotme, bëri me dije se provimet e maturës do të mbahen nga datat 8 dhe 18 qershor 2020, gjë që jep mjaftueshëm kohë për të përgatitur diplomat për ata që duan të studiojnë jashtë.

“Hapim shkollat vetëm për nxënësit e klasave të 12-ta për një periudhë tre javore nga data 18 maj deri 5 qershor, vetëm për maturën me plan programe të reja. Provimet e klasës 5-të dhe 9-ta do të anulohen. Notat e provimit të lirimit të klasës së nëntë, do të nxirren duke llogaritur notat e viteve”, u shpreh Shahini.

Ministrja bëri me dije se procesi mësimor do të vijojë online dhe do të mbyllet në 29 maj, ndërsa përfundimet do të dalin me përllogaritjen e notave vjetore.

VERITAS.COM.AL