Një ngjarje e rëndë është regjistruar vetëm pak ditë para zgjedhjeve të 25 prillit. Pjerin Xhuvani ka mbetur i vrarë në Elbasan pasi është qëlluar me armë nga Arbër Paplekaj, shoqëruesi i kreut të listës së Partisë Demorkatike, Gazmend Bardhi. Paplekaj ka pranuar krimin duke thënë se ka qëlluar për vetëmbrojtje pasi u qëllua më parë nga persona që po blinin vota.

Policia e Shtetit bën me dije se gjatë një konflikti ka humbur jetën Pjerin Xhuvani dhe janë plagosur katër persona mes tyre një punonjëse policie e cila ka ndërhyrë në vendngjarje për të shuar krimin. Të plagosurit janë Emiljan Prenga 39 vjeç, Pavlo Vuksani  50 vjeç, Eltjon Bodinaku  32 vjeç dhe efektivja  Xhensila Sota  27 vjeçe (punonjëse e policisë).

Report Tv ka sjellë pamjet vetëm pak çaste pas ekzekutimit, ku dëgjohen britmat e qytetarëve ndërsa përtokë ka mbetur për disa minuta trupi i pajetë i Xhuvanit. Në Elbasan mbërriti dhe kreu i Policisë së Shtetit,  Ardi Veliu, kreu i Policisë Kriminale, Tonin Vocaj, reparti RENEA dhe hetimet po ndiqen nga prokuroria e Elbasanit.

Pak minuta pas krimit reagoi edhe Gazmend Bardhi, duke justifikuar vrasjen e duke thënë se ndodhi pasi shtabi elektoral i Taulant Ballës po blinte vota. Nga ana tjetër, Balla është shprehur se këto janë provokime që kanë autor PD-në dhe presidentin Ilir Meta, e duke akuzuar se demokratët kanë zbarkuar në çdo cep grupe paramilitare.

Në vendngjarje janë sekuestruar mbi 20 gëzhoja dhe do të analizohen nëse është përdor vetëm një apo disa armë. Ndërkohë ka dhjetëra të shoqëruar nga policia dhe dy persona të shpallur në kërkim.

Cili është Arbër Paplekaj, i arrestuar si autor i krimit?

Media ka siguruar foton nga momenti kur ai del me automatik në dorë dhe përfshihet në konfliktin që solli një viktimë dhe katër të plagosur. Ai është ish-efektivi RENEA-s dhe për disa muaj ka qenë edhe pjesë e sigurisë në ambasadën e SHBA-ve Tiranë. Ndërsa pasi është larguar është atashuar në strukturat e sigurisë pranë Partisë Demokratike dhe në shoqërinë e Gazmend Bardhit në Elbasan.

Të plagosurit janë duke marrë mjekim, ku 2 prej tyre, Xhuvani dhe Vuksani ndodhen në spitalin e Traumës në gjendje të stabilizuar. Në spitalin e Elbasanit përveç punonjëses së Policisë është edhe Eltjon Bodinakut, dhëndri i Pjerin Xhuvanit,  gjendja e të cilit është më e rëndë dhe pritet që t’i nënshtrohet një ndërhyrje kirurgjikale. Xhuvani dhe Vuksani ishin dy prej disa emrave që partia demokratike i denoncoi për konfliktin e ndodhur ditën e verës dhe përplasjen e militantëve të PS e PD.