Forbes e rendit Shqipërinë në vendin e 109 në treguesin e barrës së taksave, nga 144 shtete. Por, me 24-25% të PBB-së, vendi ynë ka të ardhurat më të ulëta nga taksat në rajon….Shqipëria renditet ndër vendet që kanë barrën më të lartë të taksave në rajon, në raportin e fundit të Forbes, “Vendet më të mira për të bërë biznes”, ku Shqipëria në total ishte në pozicionin e 69.
Në treguesin specifik të barrës së taksave, Forbes e rendit Shqipërinë në vendin e 109, nga 144 shtete (sa më poshtë në renditje, aq më e lartë barra e taksave).
Më mirë paraqitet Maqedonia, e cila është e shtata në botë për barrën e taksave.
Listën e vijojnë Kroacia (34), Rumania (50), Mali i Zi (55), Bullgaria (72).
Më keq se Shqipëria janë Serbia, që është një vend më poshtë (110) dhe Bosnjë Hercegovina, që është e fundit në rajon, në vendin e 119.
Por, ndërsa Serbia dhe Bosnja e “justifikojnë” barrën e lartë të taksave, duke sjellë më shumë të ardhura në buxhet, Shqipëria ka rendimentin më të ulët në rajon.
Me 24-25% të të ardhurave nga taksat në raport me prodhimin e përgjithshëm (PBB), Shqipëria është 10 pikë përqindjeje më poshtë se mesatarja rajonale dhe ajo e vendeve të BE-së (rreth 35%, sipas Eurostat) dhe për më tepër mbledh më pak para në buxhet edhe se Maqedonia, që ka barrën më të ulët në rajon (kjo e fundit e ka këtë tregues 28-29% të PBB-së).
Bosnja dhe Serbia mbledhin përkatësisht 44% dhe 35-36% të PBB-së, sipas të dhënave krahasuese të publikuara nga FMN.
Sipas të dhënave krahasuese të nivelit të taksave nga Banka Botërore, Shqipëria dhe Serbia kanë nivelin më të lartë të TVSH-së, në 20%.
Në Maqedoni, niveli më i lartë i TVSH-së është 18%, ndërkohë që vendi ka dhë një TVSH të reduktuar prej 5% për produkte ushqimore, produkte mjekësore, makineri bujqësore, publikime, shitja e parë e ndërtesave dhe apartamenteve si dhe transporti dhe akomodimi.
Mali i Zi e ka TVSH-në 19%, Bosnja 17% dhe Kosova në nivelin më të ulët prej 16%.
Serbia dhe Shqipëria kanë nivelin më të lartë të taksës mbi korporatat në 15%.
Mali i Zi ka aktualisht nivelin më të ulët të kësaj takse në rajon, në 9%, ndërsa Maqedonia, Kosova dhe Bosnja e kanë atë në 10%.
Shqipëria, së bashku me Serbinë renditen ndër vendet që kanë nivelin më të lartë të kontributeve të sigurimeve shoqërore të paguara nga punëdhënësi në 15% dhe 17.9% përkatësisht.
Maqedonia e ka të gjithë barrën të transferuar te punëmarrësi, në nivelin e 27%. Edhe Mali i Zi ndjek të njëjtën logjikë, ku kontributet e paguara nga punëdhënësi janë vetëm 5% dhe ato të punëmarrësit 24%.
Edhe në Bosnjë, punëdhënësi paguan 10.5% dhe punëmarrësi 31%. Nivelin më të ulët të kontributeve e ka Kosova me 5% punëdhënësi dhe po aq punëmarrësi.
Dy vitet e fundit, ndonëse barra e taksave është rritur në Shqipëri (tatim fitimi nga 10 në 15% nga 1 janari 2014 dhe ai mbi dividendin dhe të ardhurat e tjera nga 10 në 15% nga 1 janari 2015, plus rritja e taksës së qarkullimit dhe akcizës mbi disa produkte), kjo nuk ka arritur të sjellë më shumë të ardhura në buxhet, sidomos në 2015, ku rritja reale e të ardhurave për 11 mujorin (duke hequr inflacionin dhe rritjen ekonomike) ishte afër zeros./sipas Monitor/