Në shtetin e të drejtës nuk ka askush kompetenca të pakufizuara- tha sot nën- kryetari i KQZ, i propozuar fillimisht nga LSI në këtë post, Denar Biba.

Nënkryetari i KQZ-së, Denar Biba ka folur sot në Top Talk lidhur me situatën aktuale politike, dhe mbi letrën që Presidenti Ilir Meta i ka dërguar KQZ-së në të cilën kërkonte zyrtarisht numrin e deputetëve në Parlament.

Biba ka justifikuar vendimin e KQZ lidhur me mohimin e dekretit të Metës duke thënë se si organ publik kanë autoritetin të gjykojnë një veprim absolutisht të pavlefshëm.

Lidhur me pyetjen që gazetari i bëri Bibës, “Edhe pse vendimi i Metës mund të jetë antikushtetues kjo nuk ju jep ju të drejtën që të gjykoni vendimin e tij”,  ai u përgjigj se organi publik ka autoritetin që të konstatojë një akt absolutisht të pavlefshëm.

Biba tha se Presidenti nuk ka kompetenca të pakufizuara prandaj ai kur anuloi zgjedhjet duhet të vendoste një tjetër datë zgjedhjesh, gjë të cilën nuk e bën dot sepse afati kushtetues për datën e zgjedhjeve ka kaluar.

“Shqipëria nuk ka datë zgjedhjesh. Duke mos caktuar një datë zgjedhjesh ai nuk ka realizuar detyrimin e tij për caktimin e një date zgjedhjesh, kjo është një kompetence e Presidentit.  Në një shtet të së drejtës nuk ka kompetenca të pakufizuara. Si kufizohet kjo Kompetence? I jepet Presidentit kompetenca për të caktuar datën dhe kufizohet nga fakti që data e zgjedhjeve vendoset 9 muaj që nga përfundimi i mandatit të atij që është në pushtet. Ligji thotë se data e zgjedhjeve vendoset mes datës 15 mars dhe 30 qershor.” tha ndër të tjera Denar Biba.

Lidhur me kërkesën që ka dërguar sot Presidenti drejtuar KQZ-së, pas votimit të djeshëm në Parlament sipas të cilit ai është shkarkuar, Biba tha se presidentit do i kthehet përgjigje edhe pse kjo është diçka që mund të verifikohet edhe po të hysh në faqen zyrtare të KQZ-së.

Në përfundim të fjalës së tij Biba tha se 94 deputetë janë në fakt 2/3 e 140 deputetëve dhe pse në Parlament janë aktualisht 122 deputetë.

Veritas.com.al/